Ka përfunduar takimi i Grupit Parlamentar të LDK-së, në selinë e kësaj partie, ku është diskutuar lidhur me çështjen e presidentit.
Ky takim u zhvillua menjëherë pas takimit të tretë ndërmjet liderit të LVV-së, Albin Kurti dhe liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa ka thënë se në këtë takim kanë marrë pjesë 15 deputetët e LDK-së. “Qëndrimi i përbashkët është se zgjedhjet janë të evitueshme, të shmangshme dhe të panevojshme në këtë fazë të Republikës sonë”, ka thënë ai.
Sipas tij qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar, prandaj kjo parti kërkon edhe konsensus të gjerë politik “pra një kandidat që vjen si pajtueshmëri nga të gjitha partitë politike” ose opsioni i dytë “një marrëveshje politike klasike, në mes të dy partive, në këtë rast asaj në pushtet dhe LDK-së”.
Lidhur me spekulimin në media se nga Kurti është propozuar Glauk Konjufca për president, Mustafa ka thënë se nuk mund të përgjigjet për gjëra hipotetike. “Deri më tani nuk ka një propozim zyrtar nga LVV”, tha ai.
Mustafa ka thënë se partitë politike vazhdimisht duhet të jenë të gatshme për zgjedhje, porse sipas tij, në këto rrethana ato janë të panevojshme dhe nuk i duhen Kosovës.
“Jemi të hapur për takime në ditët e ardhshme, kemi afat deri më 5 mars”, nënvizoi Mustafa.

