Oda Ekonomike e Kosovës thotë se shprehë shqetësim për situatën aktuale politike në vend dhe mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja, duke theksuar se ekonomia ka nevojë për stabilitet dhe institucione funksionale.
Në një thirrje publike drejtuar partive parlamentare në vend, Oda ka vlerësuar se në këtë fazë të ndjeshme të zhvillimit ekonomik, vendi ka nevojë për vendimmarrje të qëndrueshme dhe bashkëpunim institucional, e jo për procese të reja zgjedhore që mund të thellojnë pasigurinë ekonomike.
Oda u ka bërë thirrje subjekteve politike që të gjejnë gjuhë të përbashkët, duke theksuar se stabiliteti politik është parakusht për stabilitetin ekonomik.
Po ashtu, theksohet se sektori privat në Kosovë mbetet i ndjeshëm ndaj zhvillimeve ndërkombëtare, për shkak të varësisë nga importi, ndërsa luhatjet globale mund të ndikojnë në çmime, zinxhirë furnizimi dhe investime.
Në këtë kontekst, kërkohet rritje e investimeve, reforma strukturore dhe përgatitje e institucioneve me masa mbështetëse për bizneset dhe konsumatorët. Në fund, Oda ka apeluar për komunikim të matur dhe shmangie të lajmeve të paverifikuara që mund të krijojnë panik në treg.

