Wednesday, May 27, 2026
HomeLajmeKosovëVetëvendosje propozon Glauk Konjufcën për president

Vetëvendosje propozon Glauk Konjufcën për president

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Glauk Konjufcën për president të Republikës. Ata i kanë bërë thirrje partive opozitare që të propozojnë një emër për president, derisa i kanë ofruar mbështetjen edhe për nënshkrime plotësuese.

“Në këto rrethana, Lëvizja VETËVENDOSJE!, pas të gjitha përpjekjeve për të arritur marrëveshje, do të propozojë për kandidat për President ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetarin e Kuvendit, deputetin e shtatë legjislaturave dhe njeriun e dytë më të votuar në historinë e Republikës sonë, z. Glauk Konjufca”, thotë LVV-ja.

Vetëvendosje u ka bërë thirrje edhe subjekteve opozitare që të propozojnë një kandidat, duke shfaqur gatishmërinë që t’i ndihmojnë me nënshkrime plotësuese nga grupi i tyre parlamentar.

“Në të njëjtën kohë, i ftojmë edhe njëherë subjektet opozitare që të propozojnë një kandidat. Nëse u nevojiten nënshkrime plotësuese ne ju ndihmojmë nga grupi ynë parlamentar. Jemi të bindur se kjo sfidë është e kalueshme, zgjedhjet janë të evitueshme dhe është plotësisht e mundshme të gjejmë pajtueshmëri për të ecur përpara”, thuhet në njoftimin që e ka shpërndarë Lëvizja Vetëvendosje në faqen zyrtare.

Ata kanë thënë se zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, që erdhën si rezultat i një bllokade mbi dhjetëmujore, përveçse u mbajtën në një afat të afërt kohor, dhanë gjithashtu, sipas tyre, rezultatin më të qartë në historinë e Kosovës së pasluftës.

“Qytetarët folën fuqishëm kundër bllokimit të shtetit dhe në favor të themelimit të institucioneve. Në përputhje me këtë rezultat, pa asnjë vonesë u konstituuan dy institucionet themelore të vendit, Kuvendi dhe Qeveria, ndërsa procesi i radhës që kemi përpara është ai i zgjedhjes së Presidentit”, thitë LVV-ja.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se duke pasur parasysh përcaktimet politike të subjekteve parlamentare, si subjekt fitues, propozuan që vendit t’i ofrojnë një kandidat konsensual për president.

“Për këtë arsye, ftuam disa herë radhazi në takim subjektet më të mëdha opozitare, me synimin për të gjetur emra dhe propozime rreth të cilëve do të mund të ndërtonim pajtim për këtë pozitë, për zgjedhjen e së cilës kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në sallë. Pavarësisht insistimit tonë, nga këto subjekte nuk morëm asnjë propozim konkret, ndërsa u refuzuan edhe ofertat tona me emra të caktuar”, thotë LVV-ja.

Ata kanë shprehur bindjen se vendi ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara. “Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme”, ka thënë Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërkohë, pritet që sonte të mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram