Shefja e stafit të presidentes së vendit, Vjosa Osmani, Learta Hollaj, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar ndaj shpifjeve që siç thotë ajo po qarkullojnë për kinse puç, skemë apo plan të organizuar nga Presidentja Vjosa Osmani për rrëzimin e Qeverisë.
Sipas saj, këto shpifje qoftë në bashkëpunim me Ramën, Grenellin, Vuçiqin, apo me opozitën, nuk janë vetëm të pavërteta por edhe produkt i një mendësie e cila për interesa të momentit, është e gatshme të dëmtojë edhe vetë shtetin.
Ajo në reagimin e saj ka thënë se Presidentja Osmani nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të bëhet kurrë pjesë e skenarëve të tillë.
“Për të, politika nuk është terren i komploteve, por përgjegjësi ndaj Republikës, kushtetutës dhe qytetarëve tanë. Në një kohë kur shpifjet tentojnë të paraqiten si narrativë politike, Presidentja nuk mbështetet në makineri propagandistike për të imponuar të vërtetën e saj. Por ajo mbështetet në diçka më të fortë: në të vërtetën vetë”, ka shkruar Hollaj.
Tutje Hollaj ka shtuar se koha gjithmonë i ndan qartë faktet nga propaganda. “Qytetarët e Kosovës do ta kuptojnë qartë se çfarë qëndron pas gjithë kësaj zhurme. Sepse në fund, propaganda do të zbehet, ndërsa e vërteta do të mbetet”.

