Aleanca e NATO-s do të zhvillojë një stërvitje të përbashkët ushtarake me Forcat e Armatosura Serbe në maj të këtij viti, njoftoi Komanda e Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli të Italisë.– Ne mirëpresim mundësinë që personeli ushtarak serb dhe ai aleat të stërviten së bashku në Serbi këtë maj. Stërvitja do të zhvillohet në poligonin e stërvitjes Borovac në Serbi, të cilin Forcat e Armatosura Serbe e përdorin gjerësisht për të përgatitur njësi për misione ndërkombëtare, përfshirë operacionet paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara. Ky aktivitet do të zhvillohet me ftesë të Serbisë dhe në respekt të plotë të politikës së saj të deklaruar të neutralitetit ushtarak – deklaroi Komanda.
Admirali George Wyckoff, Komandanti i Komandës, ishte në Beograd të premten, ku u takua me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
Vuçiç shkroi në rrjetin social Instagram se pati një “takim të rëndësishëm” me Wyckoff-in rreth forcimit të bashkëpunimit me NATO-n, duke ruajtur neutralitetin ushtarak të Serbisë.

