Të paktën 33 persona, përfshirë një adoleshent, u plagosën në një sulm me bombë në një klub nate në Peru. Shpërthimi ndodhi në orët e para të mëngjesit të së shtunës në klubin Dali në qytetin Trujillo, në bregdetin verior të vendit, në një rajon që përballet me një rritje të dhunës dhe krimit, shkruan Sky News .
Ende nuk dihet se kush qëndron pas sulmit apo cili është motivi.
Pesë të plagosur në gjendje të rëndë
Gerardo Florian Gomez, drejtor i Rrjetit Shëndetësor Trujillo, tha se të paktën pesë nga të plagosurit ishin në gjendje të rëndë. Disa pacientë kishin nevojë për amputime dhe ndërhyrje kirurgjikale për plagë nga shrapnel. Mes të plagosurve ishin një 16-vjeçar dhe dy 17-vjeçarë, shtoi Gomez.
Fiorella Mantilla, e cila ndodhej në klub në kohën e shpërthimit, u tha gazetarëve se kishte copa xhami në këmbë. “Dukej sikur dikush papritmas e kishte fikur sistemin e zërit”, tha ajo për momentin e sulmit.
Rajon i prekur nga krimi
Ky sulm erdhi më pak se një muaj pas një shpërthimi tjetër në të njëjtin qytet, i cili dëmtoi 25 shtëpi, por për fat të mirë nuk pati të lënduar ose të vdekur. Rajoni i La Libertad përballet me probleme me zhvatjen dhe minierat e paligjshme.
Sipas shifrave zyrtare, në vitin 2025 në rajon u regjistruan 286 shpërthime, 136 prej të cilave ndodhën në vetë Trujillo. Në janar 2025, një pajisje shpërthyese u shpërtheu përpara zyrës së prokurorit në atë qytet. Në gusht dhe shtator të të njëjtit vit, dy shpërthime dëmtuan dhjetëra shtëpi dhe plagosën më shumë se 20 persona.
Autoritetet besojnë se incidente të tilla lidhen me zhvatjen e kryer nga bandat e krimit të organizuar, përfshirë grupin Los Pulpos, aktivitetet kriminale të të cilit janë përhapur në Kili dhe vende të tjera në rajon.

