Mimoza Kusari-Lila në cilësinë e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e Faton Peci si kryetar i komunës së Mitrovicës, kanë nënshkruar ankes-marrëveshjen për ndërtimin e parkut Industrial të gjelbër në Frashër të Vogël këtij qyteti.
Ministrja, Kusari-Lila, gjatë vizitës në Mitrovicë theksoi se qyteti ka potencial të madh për t’u shndërruar në një qendër të rëndësishme të zhvillimit industrial dhe inovacionit në vend.
“Në fokus ishte zhvillimi i Parkut Industrial të Mitrovicës në Frashër të Vogël, një pilot-projekt për një Eco-Industrial Park me potencial të madh për industrinë përpunuese dhe investimet e reja”, thotë MINTI.
Ministrja ka thënë se parku do të ndërtohet sipas standardeve moderne mjedisore dhe me sektorë industrialë të specializuar, në përputhje me kërkesat e tregut evropian.
“Projekti i parkut planifikohet të përfundojë brenda një viti, ndërsa Komuna e Mitrovicës dhe Ministria do të krijojnë një bord të përbashkët për përzgjedhjen e industrive përpunuese që do të vendosen në Parkun Industrial të Frashërit të Vogël”, bëhet e ditur tutje në njoftim.
Gjithashtu, thuhet se Kusari-Lila e Peci, bashkë kanë diskutuar edhe për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza, duke e quajtur këtë si një projekt të rëndësishëm që pritet të nisë së shpejti me mbështetje nga IBRD, e sipas MINTI-t, do të kontribuojë në mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e infrastrukturës së qytetit.
Po ashtu, thotë MINTI, një tjetër temë e takimit në mes ministres dhe kryetarit ishte zhvillimi i kapitalit njerëzor, përmes krijimit të një qendre inovacioni për të rinjtë dhe forcimit të arsimit dual, në mënyrë, siç thonë, bizneset të kenë më shumë profesionistë të përgatitur për tregun e punës.
“Ministrja tha se do të intensifikojnë inspektimin dhe digjitalizimin e raportimit të shkeljeve, përmes bashkëpunimit të Inspektoratit Qendror me rajonin e Mitrovicës”, ka bërë të ditur MINTI pas marrëveshjes që kanë nënshkruar bashkë Kusari-Lila e Peci.

