Një ushtar francez u vra dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm me dron ndaj trupave në rajonin Erbil të Kurdistanit irakian. Ky informacion u konfirmua nga Presidenti francez Emmanuel Macron.
Një anëtar i forcave të armatosura “vdiq për Francën gjatë një sulmi në rajonin Erbil të Irakut”, njoftoi Macron në rrjetin social X. Kjo është gjithashtu viktima e parë midis ushtarëve francezë në Lindjen e Mesme që nga fillimi i një konflikti të ri që u përshkallëzua në fund të muajit të kaluar, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kryen sulme ndaj Iranit.
Macron shtoi se disa ushtarë të tjerë u plagosën në këtë incident. Më parë, ushtria franceze tha se gjashtë ushtarë u plagosën në një sulm me dron të enjten, ndërsa po kryenin stërvitje.
“Togeri Arnaud Frion i Batalionit të 7-të të Luftëtarëve Alpinë nga Varces vdiq për Francën gjatë një sulmi në rajonin e Erbilit në Irak. Familjes së tij, si dhe vëllezërve të tij të luftës, dua të shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin më të thellë të kombit. Disa nga ushtarët tanë u plagosën. Franca qëndron pranë tyre dhe të dashurve të tyre. Ky sulm ndaj forcave tona, të cilat janë angazhuar në luftën kundër ISIS që nga viti 2015, është i papranueshëm. Prania e tyre në “Irak po zhvillohet brenda kornizës së rreptë të luftës kundër terrorizmit. Lufta në Iran nuk mund të justifikojë sulme të tilla”, njoftoi Macron në X.com.
Ushtarët ishin “të angazhuar në aktivitete trajnimi kundër terrorizmit me partnerë irakianë”, tha për AFP një anëtar i shtabit të përgjithshëm, duke shtuar se ushtarët e plagosur u dërguan menjëherë në qendrën më të afërt mjekësore.
Guvernatori i Erbilit saktësoi se në sulm morën pjesë dy dronë dhe se incidenti ndodhi në bazën në Mala Qara, e cila ndodhet rreth 40 kilometra larg kryeqytetit të këtij rajoni autonom.
Që nga shpërthimi i luftës aktuale në Lindjen e Mesme, ka pasur sulme të shumta në këtë rajon që u atribuohen fraksioneve pro-iraniane. Sulmi ndaj trupave franceze pasoi një sulm të veçantë me dron në bazën italiane në Erbil, brenda një kompleksi ushtarak ku po qëndronin edhe trupa të tjera të huaja.
Nuk pati të lënduar në sulmin e parë, por Italia njoftoi tërheqjen e përkohshme të personelit të saj ushtarak nga baza pas tij.
Ushtarë nga disa vende, përfshirë Italinë dhe Francën, po stërvisin forcat kurde të sigurisë në Kurdistanin irakian, si pjesë e një koalicioni ndërkombëtar anti-xhihadist të udhëhequr nga Uashingtoni.
Pasi sulmet amerikane-izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt shkaktuan sulme hakmarrëse nga Teherani në të gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë, Presidenti Emmanuel Macron theksoi se pozicioni ushtarak i Francës në rajon ishte “strikt mbrojtës”.

