Monday, June 22, 2026
HomeLajmeKosovëDyshime për neglizhencë prindërore, 5-vjeçari përfundon në gjendje të rëndë

Dyshime për neglizhencë prindërore, 5-vjeçari përfundon në gjendje të rëndë

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se kanë pranuar në Klinikën e Pediatrisë një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani, me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve, me ndryshime gangrenoze.

Në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar, me dyshime për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim. Fëmijës i është vazhduar trajtimi në Kujdesin Intensiv Pediatrik.

“Fëmija po trajtohet nga një ekip multidisiplinar dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë, por me parametra vitalë stabilë. Pas pranimit në Kujdesin Intensiv Pediatrik, fëmija i është nënshtruar ekzaminimeve të plota laboratorike dhe imazherike. Trajtimi intensiv i plagëve është duke vazhduar, ndërkohë që janë realizuar edhe konsultat multidisiplinare me kirurgun vaskular, kirurgun plastik dhe ortopedin”, njofton ShSKUK.

Për shkak të dyshimeve për keqtrajtim të mundshëm, janë njoftuar Policia dhe punëtorët socialë, ndërkaq ai po vazhdon mjekimin pa përkujdesje prindërore.

“Fëmija aktualisht ndodhet pa përcjellje nga prindërit apo kujdestari ligjor dhe është nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të stafit mjekësor dhe të punëtorëve socialë, në përputhje me procedurat për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve në situata të tilla”, vazhdon njoftimi.

Gjatë ditës, fëmija u vizitua edhe nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, për të parë nga afër gjendjen shëndetësore.

Ky rast ngjalli reagime të shumta gjatë ditës, pasi dyshohet se deri te rasti erdhi nga pakujdesia e prindërve. Gjithashtu, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, tha se të dyshuarit, dy prindërit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.

https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fshskuk.rksgov.net%2Fposts%2Fpfbid02e2hJTtTpVswHkUn5RdbvqSg7TuotBJp6TXnHaVHgZATBfNgc4DSRhGX6sAP8Ahk5l&show_text=true&width=500

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram