Ferizaj dhe Drenica kanë regjistruar fitore të vlefshme në kuadër të xhiros së 25-të të Superligës së Kosovës në futboll, që ndikojnë dukshëm në objektivin e tyre për t’iu shmangur zonës së rrezikshme në renditje.
Ferizaj ka mposhtur Prishtinën me rezultat bindës 3:0, duke i bërë një goditje të rëndë skuadrës kryeqytetase në garën për titull. Ade Oguns realizoi golin e parë në minutën e 39-të, ndërsa Ruben Silva Richards shënoi të dytin në minutën e 63-të. Jakup Berisha vulosi fitoren me golin e tretë në minutën e 94-t. Me këtë fitore, Ferizaj qëndron në vendin e tetë me 29 pikë, po aq sa Llapi në vendin e shtatë. Prishtina mbetet e treta me 38 pikë, katër më pak se Ballkani dhe Drita, të cilat do të luajnë ndeshjet e tyre të xhiros së 25-të të mërkurën.
Në ndeshjen tjetër të ditës së sotme, Drenica ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj Malishevës në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, me rezultat 4:2. Igball Jashari shënoi dy gola për skuadrën vendase, ndërsa Kreshnik Uka kontribuoi me një gol dhe një asistim. Andi Veliqi shënoi golin e katërt që vulosi rezultatin përfundimtar. Ndërkaq për Malishevën shënuan Assane dhe Mevlan Zeka. Drenica mbetet e parafundit me 28 pikë, ndërsa Malisheva renditet e katërta me 37 pikë.

