Kryeministri Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për familjet e tre shtetasve të Kosovës që humbën jetën tragjikisht si pasojë e një aksidenti në një punishte ndërtimi në Vjenë të Austrisë.
“Na ka tronditur thellësisht lajmi për vdekjen tragjike të disa personave në Austri. Sipas informacioneve zyrtare nga Ambasada jonë atje, tre prej tyre janë identifikuar si qytetarë të Republikës së Kosovës. Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje e madhe”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës është në komunikim të ngushtë me Ambasadën në Vjenë për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme.

