Politikani gjerman Carsten Träger (52) u rrëzua të shtunën në Tirol, në një pistë skijimi në akullnajën Stubai. Politikani socialdemokrat u transportua në një spital në Innsbruck, ku më vonë vdiq, raporton Kronen Zeitung. Mjekët, shkruajnë ata, nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar.
Träger ishte anëtar i Bundestagut për shumë vite dhe që nga maji i vitit 2025 ka shërbyer si Sekretar Shteti në Ministrinë Federale Gjermane për Mjedisin. Ai ka një grua dhe dy vajza.

Pas vdekjes së tij të papritur, flamujt u ulën në gjysmështizë në Bundestagun gjerman në Berlin. Kjo u njoftua të dielën nga Kryetarja e Parlamentit, Julia Klöckner (CDU).
“Jemi thellësisht të tronditur. Vdekja e tij lë një boshllëk që nuk mund të mbushet”, tha Matthias Miersch , kreu i grupit parlamentar të SPD-së.Kryetarët e SPD-së bavareze, Ronja Endres dhe Sebastian Roloff , thonë se kanë humbur një “luftëtar të zjarrtë për drejtësi sociale”.
“Për shumë prej nesh, Träger ishte shumë më tepër sesa një koleg. Ai ishte një mik, një këshilltar dhe një model për t’u ndjekur”, shtuan ata.
Të mërkurën, Bundestagu do të nderojë gjithashtu Träger në një seancë plenare, raporton Kronen Zeitung.

