Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në ceremonitë përkujtimore në Krushë të Vogël dhe në Suharekë, duke nderuar viktimat e masakrave të kryera nga forcat serbe para 27 vitesh dhe duke rikujtuar dhimbjen dhe mungesën që mbetet tek familjet e prekur.
Brenda pak orësh dhe ditësh në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël u morën jetët e 354 civilëve të paarmatosur shqiptarë, ndërkohë që 124 banorë nga këto dy fshatra u zhdukën me dhunë dhe vazhdojnë të mungojnë. Kryetarja Haxhiu tha se sot, 27 vjet më pas, Krusha flet ende me dhimbje dhe mungesë.
“Sot u kthye Ajvaz Shehu, vetëm 15 vjeç atëherë, për t’u prehur me dinjitet në tokën e tij. Ky kthim lehtëson dhimbjen e një familjeje, por na kujton se kjo histori nuk është mbyllur. Ne nuk harrojmë dhe as nuk ndalemi së kërkuari drejtësi për këto krime gjenocidale të Serbisë. Institucionet tona, që në themel kanë gjakun e dëshmorëve dhe martirëve, do të nderojnë përjetësisht kujtimin e tyre. Lavdi të rënëve për lirinë e Kosovës,” theksoi kryetarja Haxhiu.
Po sot, në përvjetorin e masakrës së familjes Berisha në Suharekë, kryetarja Haxhiu nderoi 50 anëtarët e kësaj familje që u vranë në mënyrë mizore nga forcat serbe. Forcat serbe hynë në shtëpitë e tyre, i nxorën me dhunë dhe i grumbulluan në një lokal ku i detyruan të qëndrojnë të gjithë bashkë. Më pas i sulmuan me plumba e bomba.
“Edhe pas vrasjes, trupat u zhdukën, në përpjekje për ta fshirë të vërtetën. Me respekt të veçantë i nderojmë të mbijetuarit, Vjollcën, Shyhretën dhe Gramozin që mbajnë gjallë kujtesën dhe të vërtetën për këtë krim të Serbisë,” tha kryetarja Haxhiu.
I mbijetuari Gramoz Berisha tregoi përjetimet e tij nga 27 vjet më parë, kur ishte vetëm 8 vjeçar, si dëshmi e një krimi çnjerëzor që synonte zhdukjen e një familjeje të tërë dhe fshehjen e së vërtetës. 



