Saturday, June 20, 2026
HomeLajmeKosovëOsmani: Masakra e Krushës, përpjekje e Serbisë për të shfarosur shqiptarët

Osmani: Masakra e Krushës, përpjekje e Serbisë për të shfarosur shqiptarët

Në tubimin përkujtimor në përvjetorin e 27-të të masakrës së Krushës së Madhe, presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, tha se krimi i Serbisë në këtë vend ishte me paramendim e masakër e planifikuar, si përpjekje për të shfarosur shqiptarët nga tokat e tyre.

E para e shtetit tha se në marsin e vitit 1999 toka  Krushës u mbulua me dhimbje të papërshkrueshme.

“241 banorë të Krushës u masakruan nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, në mesin e tyre edhe 7 fëmijë e pesë gra përfshirë një grua shtatzënë. Ata nuk u vranë në betejë, por në fshatin e tyre, shtëpitë e tyre. Ky ishte një krim me paramendim, ishte masakër e planifikuar, akt i qëllimshëm për të shuar jetë, për të shuar kujtesë, për të shuar vetë ekzistencën e banorëve të këtij fshati, përpjekje për të shfarosur shqiptarët nga tokat e tyre”, tha Osmani, derisa përmendi edhe 64 banorët e këtij vendi që ende figurojnë të zhdukur, përfshirë edhe veprimtarin, Ukshin Hoti.

“Në mesin e këtyre plagëve të hapura qëndron edhe fati ende i pazbardhur i Ukshin Hotit, zërit që asnjëherë nuk pranoi të nënshtrohej, ishte figurë politik e akademike që artikuloi lirinë si të drejtë e domosdoshmëri”.

Megjithatë,  tha Osmani, përballë tragjedisë, Krusha e Madhe nuk u thye.

“U ngritën gra që dëshmuan se jeta është më e fortë se vdekja, një prej tyre është Fahrije Hoti, një grua që e ktheu dhimbjen në forcë, humbjen në qëndresë dhe lotin në punë e në dinjitet”, tha ajo.

Andin Hoti, ministër i Ministrisë për Punë, Familje e Vlera të Luftës Çlirimtare, që është edhe i biri i Ushkin Hotit tha se Krusha e Madhe është një nga plagët më të madha të historisë.

“241 të vrarë e 64 të zhdukur, përfshirë edhe babin tim. Një fshat i tërë i tërë i goditur nga një krim i organizuar shtetëror. Këto nuk ishin akte të rastësishme, por pjesë e një plani të menduar e të zbatuar, për spastrimin etnik. Serbia gjakatare nuk u mjaftua me vrasjet, ajo u përpoq të zhdukte gjurmët e krimit, të fsheh trupat e të mbulojë të vërtetën. Edhe sot pas 27 vitesh e mbanë të mbyllur në arkivat e saj të errëta përgjigjen për shumë familje të Krushës dhe Kosovës”, tha ai.

Ndërkohë, Smajl Latifi, kryetar i Rahovecit, tha se në Krushë merr kuptim edhe pesha e lirisë, derisa ka thënë se në Hagë po gjykohen çlirimtarët, e sipas tij, kriminelët po amnistohen.

“Nuk është drejtësi ajo që vë në bankën e të akuzuarve ata që luftuan për lirinë e tyre dhe që amniston kriminelët e vërtetë. Ata që luftuan për lirinë e tyre, që padrejtësisht po gjykohen në Hagë, ata meritojnë drejtësi të vërtetë e t’i kthehen familjeve të tyre e Kosovës. Ne besojmë se drejtësia do të fasë e krerët e UÇK-së do të kthehen triumfues me kokën lartë, ashtu siç besojmë se do të ndëshkohen kriminelët serb. Këtë e kërkoj në emër të gjakut e të sakrificës”, tha Latifi.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram