Takimi mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, konfirmoi përkushtimin për thellimin e partneritetit evropian dhe bilateral ndërmjet dy vendeve.
Zyra e Kryeministrit njofton se gjatë takimit u diskutua edhe për planet dhe investimet në edukim, si dhe organizimi i forumeve të reja të bizneseve Kosovë–Francë, pas forumit të mbajtur në muajin shkurt në Prishtinë. Lojërat Mesdhetare 2030, që do të mbahen në Kosovë, u trajtuan si një mundësi për mbështetjen dhe angazhimin e Francës në përgatitjet për organizimin e tyre.
Sipas njoftimit Kurti ka folur gjithashtu për sigurinë e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së kufijve, ngritjen e kapaciteteve vendore mbrojtëse, raportet me Serbinë në kuadër të dialogut në Bruksel dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë, si dhe bashkëveprimin me aleatët veri-atlantikë dhe sigurinë rajonale në Ballkan.
Në takim u diskutua për integrimet dhe sigurinë në Evropë, ku Kryeministri theksoi se Kosova mbetet e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, duke nënvizuar progresin në 35 nga 38 fusha, sipas Raportit të fundit të BE-së. Ai kërkoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian të Kosovës dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Në takim morën pjesë edhe Ministri Francez i Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, Ambasadori i Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Strasburg, Lulzim Hiseni.
Presidenti Macron e uroi Kryeministrin Kurti për rizgjedhjen dhe mandatin e ri në krye të Qeverisë së Kosovës, ndërsa Kryeministri shprehu falënderimin për kontributin e vazhdueshëm të Francës ndaj vendit.
Kurti arrin në Francë, pritet nga Macron në Pallatin Elysee |Video
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arritur në Francë, ku është pritur nga presidenti francez, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysee.
Kurti ka udhëtuar sot për një vizitë zyrtare në Francë.
Lidhur me takimin ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, por nuk ka dhënë më shumë hollësi.
“Gjatë ditës, kryeministri Kurti pritet të ketë takim dhe drekë pune me presidentin e Francës, Emmanuel Macron”, thuhet në këtë njoftim.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar të enjten mbrëma në televizionin Prva në Beograd se kryeministri Kurti mund t’i kërkojë liderit francez plotësimin e disa kushteve “kundër popullit serb”.

