Partia Demokratike e Kosovës mirëpret Aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me rastin KO81/26, me të cilin është deklaruar e papranueshme kërkesa për konflikt kompetencash ndërmjet Presidentes dhe grupeve parlamentare.
Sipas PDK-së, ky vendim konfirmon qartësinë e rendit kushtetues dhe përcakton rolin e institucioneve në procesin e emërimeve në institucionet e pavarura.
Pas këtij aktvendimi, kjo parti i ka kërkuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, emërimin e menjëhershëm të anëtarit të saj të dytë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe praktikën e deritashme institucionale.
PDK vlerëson se vonesat e mëtejshme në këtë proces janë të pajustifikueshme dhe cenojnë funksionimin e rregullt të institucioneve zgjedhore, duke theksuar se respektimi i Kushtetutës dhe garantimi i përfaqësimit të drejtë politik në KQZ janë obligime për të gjitha institucionet përgjegjëse.
Partia Demokratike e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe funksionimin efektiv të institucioneve të vendit.

