Gjykata Supreme e Kosovës, ka anuluar aktvendimin e Gjykatës së Apelit për paraburgim në rastin e “1 milionëshit”, dhe çështja kthehet në rivendosje në të njëjtën gjykatë me konstatimin se aktvendimi përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
“Gjykata Supreme e Kosovës në çështjen penale ndaj të pandehurve E.A., A.K. dhe A.L., për veprën penale shpërlarja e parave nga neni 302 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe nenin 56 paragrafi 1 pika 1.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, ka marrë vendim lidhur me ankesat e paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve”, thuhet në njoftimin e Supremes.
Ata thonë se duke vendosur mbi ankesat kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, të datës 18 mars 2026, në seancën e kolegjit të mbajtur më 30 mars 2026, Gjykata Supreme ka vendosur të aprovojë ankesat e mbrojtësve të të pandehurve e të anulojë këtë vendim.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e datës 9 mars 2026, kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve. Ndërkaq, Gjykata e Apelit e Kosovës, më 18 mars 2026, kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë dhe kishte ndryshuar këtë vendim duke u caktuar të pandehurve masën e paraburgimit prej 30 ditësh”, thotë Supremja në njoftim.
Sipas tyre, kundër këtij vendimi, mbrojtësit e të pandehurve paraqitën ankesa, duke kundërshtuar ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e paraburgimit.
“Gjykata Supreme vlerësoi se ankesat janë të bazuara dhe konstatoi se aktvendimi i Gjykatës së Apelit përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale”, thuhet tutje në njoftim.
Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, shkalla e dytë nuk ka bërë ndërlidhjen e qartë ndërmjet provave dhe veprimeve të të pandehurve.
Gjykata Supreme thekson se “ekzistimi i dyshimit të bazuar është kusht themelor për caktimin e paraburgimit, në përputhje edhe me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

