Një sulm i madh me dron në veriperëndim të Rusisë dëmtoi portin baltik Ust-Luga, kyç për eksportet e hidrokarbureve të Rusisë, si dhe një shkollë, duke plagosur tre persona, njoftuan autoritetet lokale të martën.
Alexander Drozdenko , guvernatori i këtij rajoni të vendosur disa qindra kilometra larg vijave të frontit, kryeqyteti i të cilit është Shën Petersburgu, raportoi se mbrojtja ajrore ruse rrëzoi 38 dronë gjatë natës.
Ai nuk tha nga vinin ato, por Ukraina ka dërguar dhjetëra dronë drejt Rusisë çdo natë në shenjë hakmarrjeje për bombardimet e përditshme ruse të territorit të saj për më shumë se katër vjet, duke synuar konkretisht infrastrukturën energjetike.
“Pati dëme në portin e Ust-Lugit”, shtoi zyrtari në Telegram.Ky vend në Gjirin e Finlandës, një qendër e rëndësishme për eksportet ruse të plehrave, naftës dhe qymyrit, ka qenë tashmë shënjestër e disa sulmeve ditët e fundit.
Guvernatori tha se mbeturinat nga dronët e kapur dëmtuan tre ndërtesa apartamentesh dhe dy klasa në një shkollë lokale, duke plagosur tre persona, përfshirë dy fëmijë.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS, rreth pesëdhjetë fluturime u anuluan në aeroportin e Shën Petersburgut, qytetit të dytë më të madh të vendit.

