Një zyrtar policor jashtë detyrës është arrestuar pas një incidenti që ka ndodhur pas mesnatës në Prishtinë, ku dyshohet se ishte i përfshirë në një rrahje mes disa personave.
Sipas njoftimit të IPK-së, incidenti fillimisht ishte raportuar në Polici si rrahje në progres në rrugën “Dervish Qollaku” në Prishtinë në mes disa personave e ku dyshohej se në këtë rast është përshirë edhe zyrtari policor.
“Pas pranimit të informacioneve hetuesit e Inspektoratit Policor i janë përgjigjur thirrjes dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, është arrestuar zyrtari policor (jashtë detyrës zyrtare dhe në rroba civile) me dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” të cilit me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë” , thuhet në njoftim.
IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e përkohshëm ndaj zyrtarit në fjalë me qëllim të mos-ndikimit në procesin hetimor dhe garantimit të pavarësisë dhe paanshmërisë së hetimeve.

