Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se përveç pagës së 13-të për të punësuarit në sektorin publik që marrin pagë nga buxheti, dje janë ekzekutuar edhe pagat e rregullta me shtesën e rritur të përvojës së punës.
Sipas tij, shtesa është rritur nga 0.25% në 0.50% për 15 vitet e para të përvojës, duke nënkuptuar rritje efektive të pagës për të gjithë të punësuarit.
“Vlen të theksohet që shtesa e rritur e përvojës së punës është paguar edhe për dy muajt e shkuar, janar dhe shkurt”, ka deklaruar Murati.
Sa u përket rasteve të grave në pushim të lehonisë që mund të mos jenë procesuar për pagën e 13-të, Murati ka thënë se ato duhet t’u drejtohen menaxhmentit në institucionin ku punojnë.
“Listat e pagave përgatiten nga secili institucion përkatës dhe ato janë përgjegjëse për lëshimet eventuale, të cilat mund të korrigjohen në muajin vijues”, ka shtuar ai.

