Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, në Komisionin për Buxhet ka kërkuar që në rendin e ditës të shtohen tri pika shtesë, përfshirë diskutimin për pagën e 13-të dhe çmimet e derivateve të naftës.
Megjithatë, këto pika nuk u përfshinë në rend dite, pasi kërkesa u hodh poshtë me tre vota për, asnjë kundër dhe pesë abstenime.
Mustafa tha se kërkesa lidhet me praninë në mbledhje të ministrit të Financave, Hekuran Murati. Ai theksoi nevojën për raportim nga Ministria e Financave lidhur me masat për përballimin e çmimeve të naftës dhe energjisë, si dhe ndikimin e tyre në standardin e jetesës së qytetarëve. Po ashtu, ai kërkoi sqarime për mosrealizimin e pagës së 13-të në RTK dhe për situatën në sektorin shëndetësor lidhur me këtë çështje.
“Kërkojmë një raportim nga Ministri i Financave se çka ka bërë deri tash Qeveria e Kosovës ose çka po planifikon që të bëjë për të mbrojtur dhe për të përkrahur qytetarët e Kosovës ndaj këtyre çmimeve,” tha Mustafa.
Kryetari i Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Enver Haliti, tha se këto tema mund të trajtohen në seancën e Kuvendit të thirrur nga LDK për të premten. Ai u shpreh se, sipas praktikave, në mbledhje të jashtëzakonshme nuk lejohet ndryshimi i rendit të ditës dhe se deputetët do të kenë mundësi të adresojnë këto çështje në seancë, ku do të jenë të pranishëm edhe kryeministri dhe ministrat përkatës.
Komisioni për Buxhet ka miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës, ani pse Partia Demokratike e Kosovës doli kundër kësaj kredie.
Ministrini Financave, Hekuran Murati, prezantoi marrëveshjen dhe theksoi komponentët kryesorë, duke thënë se ajo është negociuar dhe finalizuar në kuadër të përpjekjeve për forcimin e stabilitetit financiar në vend. “Kjo marrëveshje është negociuar dhe finalizuar në kuadër të përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të forcuar stabilitetin financiar në Kosovë”, tha Murati, duke përmendur Bankën Zhvillimore, rritjen e kapitalit në Fondin për Garanci Kreditore, rritjen e nivelit të mbrojtjes së depozitave dhe integrimin në SEPA.
Nënkryetari i Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Kujtim Gashi, tha se PDK është kundër marrjes së kredisë. “Ne mendojmë që nuk ka nevojë Kosova ta marrë një borxh të tillë, një kredi të tillë për një asistencë teknike”, u shpreh Gashi.
Ndërsa anëtari i Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa, ngriti pyetje për ministrin Murati lidhur me dallimet mes Bankës Zhvillimore dhe Fondit për Garanci Kreditore, shumën e kredisë për kapitalin themeltar dhe koston e saj. “Cilët punë s’po mundet me i kryer fondi, që pretendoni me i kryer me Bankën Zhvillimore?”, pyeti Mustafa.
Po ashtu me nëntë vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, Komisioni për Buxhet ka miratuar shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë të bazuar në Politika.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, prezantoi marrëveshjen dhe koston e saj. “Sa i përket kësaj marrëveshje, por edhe marrëveshjes pasuese, pra që do të jetë, sepse janë dy marrëveshje që realisht kanë të njëjtin synim; është kjo me Agjencinë Franceze për Zhvillim apo AFD dhe tjetra është me Bankën Zhvillimore Gjermane, KfW. Kjo është një marrëveshje në shumën prej 80 milionë, ngjashëm siç është edhe marrëveshja tjetër me KfW. Pra, janë dy marrëveshje me nga 80 milionë euro, të cilat synojnë arugmentimin apo rritjen e mbështetjes të Republikës së Kosovës si vazhdimësi e asaj që kemi me Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian”, tha Murati.
Ai shtoi se synimi është thellimi i reformave në sektorin e energjisë dhe përmirësimi i kornizës ligjore dhe institucionale. “Pra, siç e thashë, marrëveshja synon të përshpejtojë tranzicionin e Kosovës drejt energjisë së gjelbër… në këtë kuptim, pra objektivi i marrëveshjes është që gjithashtu t’i mundësojë Republikës së Kosovës të arrijë dhe përmbushë zotimet e saj ndërkombëtare”, u shpreh ai.
Sa i përket kushteve të financimit, Murati tha se vlera e kredisë është 80 milionë euro, me afat kthimi 12 vite dhe 3 vite grejs periudhë, ndërsa norma e interesit bazohet në Euribor 6-mujor, me tarifë zotimi 0.5% në vit.
Në mbledhje u miratuan edhe pikat e tjera të rendit të ditës.
Komisioni për Buxhet po shqyrton disa Projektligje /Video
Mblidhet Komisioni për Buxhet, ë rend dite disa marrëveshje ndërkombëtare.
Në rend dite janë shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-015 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës;
Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-016 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet të Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë të bazuar në Politika
Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-017 për ratifikimin e marrëveshjen së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfW, Frankfurt am Main, për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika në sektorin e Energjisë dhe Klimës për Kosovën.
Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-018 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin ”Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0”.

