Tuesday, May 26, 2026
HomeLajmeKosovëHasani: Ekspozita e Shkëlzen Gashit propagandë e UDB-së

Hasani: Ekspozita e Shkëlzen Gashit propagandë e UDB-së

Fyerje për viktimat dhe të burgosurit e të mbijetuarit e ka cilësuar deputeti i PDK-së, Nait Hasani përmbajtjen e ekspozitës së Shkëlzen Gashit, e cila u prezantua më 24 mars në kryeqytet.

Ai në seancën e sotme në Kuvendit, foli për këtë temë në emër të PDK-së, pas mospërfshirjes së rezolutës për mbrojtjen e të vërtetës së luftës dhe viktimave në seancën e sotme, teksa deputetët e tjerë të këtij subjekti e lëshuan sallën në shenjë pakënaqësie për mos përfshirjen e kësaj rezolute si pikë të parë të rendit të ditës.

 “Sot nuk po flas vetëm si deputet, sot po flas si dëshmitar i masakrës në burgun e Dubravës, si njëri prej atyre që kanë qenë brenda burgut të Dubravës dhe në burgjet e Serbisë, si një njëri që e kam parë me sytë e mi çfarë ka bërë shteti serb mbi trupat dhe jetët tona aty brenda burgut ndaj të burgosurve. Pikërisht për këtë sot jam këtu për ta thënë një të vërtetë të rëndë. Ajo që është prezantuar në ekspozitën me datën 24 mars 2026 nuk është vetëm gabim, është prezantim i qëllimshëm i deklarimeve të UDB-ës të asaj kohe. Kjo është fyerje për viktimat, për të burgosurit dhe të mbijetuarit, është fyerje për të vërtetën e masakrës në burgun e Dubravës në një libër dhe ekspozitë të financuar nga institucionet shtetërore dhe paraja publike”, tha Hasani.

Ai tutje theksoi se kjo ekspozitë nuk e ka treguar të vërtetën, por është prezantuar pas 27 vitesh në sheshin e Prishtinës propaganda e aparatit kriminal serb mbi masakrën në burgun e Dubravës.

“Në shtator të vitit 2024 në shtypin e medieve në Prishtinë në aktivitetin e organizuar nga BIRN Kosova dhe Jeta Xharra në debatin publik ka qenë prezent fotoreporteri serb Goran Tomasheviq, ish-oficer rezervë, ku është thënë se policia serbe respektivisht zyra e informacionit ka njoftuar qendrën e medieve se në burgun e Dubravës ka pasur rebelim të të burgosurve shqiptar dhe se gardianët janë detyruar të intervenojnë për ta shuar rebelimin e të burgosurve të armatosur shqiptar dhe këtë sipas reporterit ai e ka prezantuar në të gjitha mediat e botës si kryengritje të të burgosurve të armatosur në burgun e Dubravës. Kjo deklaratë tregon rrëfimet e rreme të fotoreporterit serb. Unë,  Enver Dugolli dhe Sadik Zeqiri kemi kundërshtuar për prezantimin e një të pavërtetë mbi masakrën e burgut të Dubravës, ai më pas kërkoi falje po kjo është e pamjaftueshme sepse dëmi politik është bërë me prezantimin e versionit të UDB-ës”, ka theksuar Hasani.

Ai ka thënë se sikur Shkëlzen Gashi të kishte për qëllim të prezantonte të vërtetën për masakrën në burgun e Dubravës, ka pasur mundësi të shkonte atje dhe të shoh obeliskun me emra e mbiemra të të vrarëve, të plagosurve të burgosur që ishin aty në atë kohë, ose, sipas tij, ka mundur të shkojë të shoqata e të burgosurve të marrë shënime mbi burgun e Dubravës apo edhe në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

“Mbi 700 të burgosur ka mundur t’i intervistojë, por ai nuk e ka bërë, nuk ka pasur qëllim të prezantojë të vërtetën në ekspozitë, por është prezantuar versioni i UDB-ës, gjë që është e tmerrshme. Ndërsa liria e shprehjes dhe veprimit nuk përfshin të drejtën për të falsifikuar krimet serbe dhe të fajësohen viktimat. Dhe kjo ekspozitë e INTEGRA dhe ADMORE është me pasoja të rënda politike për Kosovën dhe për krimet serbe të bëra në Kosovë dhe kërkim falja e Shkëlzenit nuk e riparon dëmin e shkaktuar për shtetin tonë dhe për të vërtetën e masakrës në burgun e Dubravës dhe më keq këtë version të UDB-ës deshi ta ndesh me Fondin për të Drejtat Humanitare të Natasha Kandiq, e cila e mohoi një version të tillë. Natasha thotë që edhe në Serbi nuk është thanë që në burgun e Dubravës të burgosurit ishin të armatosur.  Unë kamë qenë i burgosur aty, kemi qenë 960 të burgosur dhe në burg nuk ka pasur ushtarë, nuk ka pasur beteja, nuk ka pasur kryengritje, aty ka pasur vetëm të burgosur shqiptar dhe dhunë e vrasje e shtetit serb mbi shqiptarët e pambrojtur”, ka nënvizuar Hasani.

Ai tutje ka thënë se në Dubravë ka pasur masakër të shtetit serb mbi të burgosur, nga gardianë, policë, ushtarë dhe të burgosur serb, të gjithë të organizuar kanë hapur zjarr nga të gjitha anët më 22 e 23 mars mbi të burgosurit shqiptar.

“Aty janë vrarë njerëz të pa armatosur nga mosha 17 deri në 60 vjeç dhe një i zhdukur, ai është Ukshin Hoti.  Janë ekzekutuar njerëz që nuk kishin asnjë mbrojtje, të cilët në bazë të konventave ndërkombëtare duhet të mbroheshin nga shteti dhe sot në shtetin tonë na paraqitet në ekspozitë në Prishtinë duke ekspozuar versionin e UDB-ës për masakrat në Kosovë e ne veçanti për masakrën në burgun e Dubravës. Kjo nuk është vetëm e pa pranueshme, kjo është e turpshme dhe e dhimbshme për familjet e tyre dhe për ne të burgosurit”, ka shtuar Hasani.

Ai ka thënë se kushdo që e ka bërë këtë dhe e mbështetë këtë vepër të tij është duke i bërë një shërbim direkt Beogradit dh Vuçiqit.

“Këtë ma dëshmon angazhimi i tij i vazhdueshëm kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku thotë se ‘Dick Marti është një shqiptar i mirë’, në versionin e tij ku ai ka mbledhur dëshmi kundër UÇK-së për trafikim organesh, ndërsa Shkëlzeni thotë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka vrarë civil. Të gjitha këto i dëshmojnë mediat e Kosovës për heronjtë kombëtarë me të cilët ne jemi rritur, edukuar, frymëzuar për luftën, për betejat çlirimtare. Isa Boletinin, njeriun i cili e ka puthur flamurin e pavarësisë pranë Ismail Qemajlit në Vlorë, ky e quan mercenarë të Serbisë”, ka thënë Hasani.

Ai ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ushtri çlirimtare e pastër dhe së bashku me NATO-n e SHBA-në ia sollën Kosovës lirinë, teksa ka kërkuar që asnjëherë të mos shfaqen ekspozita të tilla me përmbajtje të rreme dhe që Shkëlzen Gashi të mbahet përgjegjës për ekspozitën, teksa ka ftuar organe e drejtësisë ta kryejnë punën e vet sipas ligjit për këtë mashtrim.

Hasani po ashtu ka kërkuar të nxirret një ligj për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram