Thursday, April 16, 2026
HomeEkonomiNë mungesë kuorumi dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi

Në mungesë kuorumi dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi

Komisioni për Ekonomi nuk ka arritur të mbajë mbledhjen e paralajmëruar për sot, ku ishte paraparë raportimi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) lidhur me tarifat e reja të energjisë.

Zëvendëskryetarja e komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Janina Ymeri, bëri të ditur se mbledhja nuk mund të vazhdojë për shkak të mungesës së kuorumit.

“Konstatojmë se nuk ka kuorum për vazhdimin e mbledhjes, pasi nuk janë gjashtë anëtarë të pranishëm. Kjo është një orkestrim nga ana e pushtetit për të mos marrë pjesë në mbledhje, në mënyrë që të pamundësohet raportimi i ZRRE-së për situatën e jashtëzakonshme”, tha ajo.

Sipas Ymerit, ZRRE është thirrur për raportim jo vetëm për tarifat, por edhe për mungesën e planit të punës për vitin 2026, mungesën e raportit për vitin 2025, si dhe për mosinformim lidhur me tarifat dhe vendimet gjyqësore. Ajo përmendi gjithashtu ekzistimin e hetimeve të konfirmuara ndërkombëtarisht për çështje që lidhen me sektorin e energjisë.

Deputeti Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e cilësoi situatën shqetësuese, duke akuzuar mazhorancën për shmangie nga raportimi.

“Sot kemi një varg pyetjesh për të cilat institucionet duhet të japin përgjigje. Çfarë po ndodh me afatet ligjore të 1 prillit për rishqyrtimin tarifor? Nuk kemi përgjigje as për shtyrjen e afatit të liberalizimit të tregut për një pjesë të konsumatorëve”, deklaroi ai.

 Edhe deputeti tjetër i PDK-së, Uran Ismaili, ka theksuar se deputetët janë mbledhur për të kërkuar llogaridhënie dhe transparencë mbi paratë publike.

“Mungesa e pjesëmarrjes dhe largimi nga mbledhja është krejtësisht e papërgjegjshme. Qytetarët po përballen me kosto të larta të jetesës dhe po na pamundësohet nga deputetët e VV-së, të cilët po e mbrojnë bordin e ZRrE-së, duke mos ofruar përgjigje për pyetjet tona,” ka thënë Ismaili.

Ndërkaq, Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tha se mungesa e raportimit nga ZRRE tregon ndikim politik mbi këtë institucion.

“Ikja nga përgjegjësia e ZRRE-së konfirmon ndikimin e plotë politik të Lëvizja Vetëvendosje dhe të qeverisë mbi të. Çdo hetim lidhet drejtpërdrejt me ta dhe po pengohet një ballafaqim i rëndësishëm”, u shpreh Tahiri.

Ai paralajmëroi se rritja eventuale e çmimeve të energjisë mund të ketë pasoja të rënda për ekonominë e vendit, duke rrezikuar një krizë të thellë ekonomike në Kosovë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments