Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se do të rikthehet teleferiku në parkun e kryeqytetit, në Gërmi.
“Gërmia ka qenë gjithmonë më shumë se një park, është hapësira jonë e përbashkët, frymëmarrja e qytetit dhe një potencial i pashfrytëzuar për t’u kthyer në një pistë të vërtetë skijimi dhe pistë për sporte tjera rekreative”, shkroi ai në Facebook.
Rama më tej ka thënë se është takuar me përfaqësues të komunitetit sportiv, organizatave rekreative dhe institucioneve relevante dhe kanë diskutuar në detaje hapat konkretë për realizimin e këtij projekti.
“Duke qenë se Gërmia është zonë e mbrojtur, çdo hap do të ndërmerret me kujdes maksimal, në përputhje të plotë me standardet më të larta mjedisore dhe kornizën ligjore në fuqi. Në koordinim të ngushtë me institucionet qendrore, po punohet intensivisht për qartësimin e procedurave dhe krijimin e bazës së nevojshme ligjore dhe teknike për jetësimin e këtij projekti”, shtoi Rama.

