Policia e Kosovës ka realizuar një bastisje në një shtëpi dhe objektet përcjellëse në Mitrovicën e Jugut, pas dyshimeve për posedim ilegal të armëve.
Aksioni është zhvilluar nga hetuesit policorë të Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë, në mbështetje të Njësisë për Reagim të Shpejtë (NJRSh).
“Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar një armë e gjatë e modifikuar, një karikator, 25 fishekë, një peshore, një gëzhojë, një granatë dore si dhe rreth 9 gramë substancë e dyshuar narkotike”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me rastin është arrestuar një person i dyshuar, ndaj të cilit është iniciuar procedurë penale për veprat “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Posedim i substancave narkotike”.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve.

