Një burrë i dyshuar për shfrytëzimin e gruas së tij duke e detyruar atë të kryejë akte seksuale për para u paraqit në gjykatë në Suedi të premten me akuzat për prostitucion të rënduar dhe përdhunim në një rast që përfshin rreth 120 burra të tjerë. I dyshuari 62-vjeçar, i cili i mohon akuzat, u arrestua dhe u ndalua në tetor pasi gruaja e tij e denoncoi atë në polici në Suedinë veriore.
Burri, një ish-anëtar i klubit të motoçikletave Hell’s Angels, u duk i qetë ndërsa prokurorja Ida Annerstedt lexoi akuzat. Viktima e tij nuk ishte e pranishme në gjykatë për të mbrojtur anonimatin e saj dhe ndoqi seancën dëgjimore nëpërmjet lidhjes video. Pasi u lexua aktakuza, gjyqi vazhdoi me dyer të mbyllura.
Sipas aktakuzës, i pandehuri e shfrytëzoi gruan e tij për vite me radhë duke e detyruar të kryente akte seksuale. “Ai akuzohet për prostitucion të rëndë. Ai organizoi një operacion në të cilin partnerja e tij, e cila më vonë u bë gruaja e tij, u mor me prostitucion”, tha Annerstedt për France Presse.
Ai e drogoi.
Burri akuzohet për krijimin e reklamave online, organizimin e takimeve, kryerjen e mbikëqyrjes dhe detyrimin e gruas së tij për të kryer akte seksuale online me qëllim tërheqjen e më shumë klientëve.
Në aktakuzë thuhet se viktima ishte në një “pozitë të cenueshme”. Prokurori tha se viktima ishte “nën ndikimin e drogës dhe alkoolit dhe kishte shumë frikë prej tij”, duke kujtuar se i pandehuri është gjithashtu në gjyq për kërcënime dhe sulm.
Përveç prostitucionit të rënduar, burri u akuzua për tetë përdhunime, një prej të cilave përfshinte gruan dhe klientin e tij.
Shtatë akuzat e mbetura i referohen akteve seksuale që gruaja është detyruar të kryejë para kamerave, gjë që është ekuivalente me përdhunim sipas ligjit suedez. 120 persona dyshohen se kanë paguar për shërbime seksuale. 26 prej tyre janë akuzuar tashmë, raporton France Presse.
Suedia është e tronditur nga ky zbulim, i cili po krahasohet me rastin e Dominique Pelicot në Francë, i cili u dënua me 20 vjet burg në dhjetor 2024 për drogimin e gruas së tij Gisele dhe lënien e saj të përdhunohej nga dhjetëra të huaj në shtëpinë e tyre në jug të vendit.

