Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë vikendit vendi do të ketë mot kryesisht me diell, por me vranësira të shpërndara dhe mundësi për reshje të lehta lokale.
Të shtunën pritet mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0 dhe 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 9 deri në 12 gradë. Pasdite, në disa zona mund të ketë riga shiu. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1 deri në 6 metra për sekondë.
Të dielën moti do të jetë me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat minimale do të jenë nga 0 deri në 2 gradë, ndërsa maksimalet do të shënojnë rritje të ndjeshme, duke arritur nga 15 deri në 18 gradë Celsius. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit.

