Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se mijëra të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë vazhdojnë të presin drejtësi.
Ai i bëri këto komente në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, të mbajtur në shënim të Ditës Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës “Ma kthe dritën”, duke theksuar se kjo ditë shërben për kujtesë, dëshmi dhe kërkesë për drejtësi.
“Lufta mbetet në kujtesën e një populli. Në Kosovë ka mijëra gra të mbijetuara të dhunës seksuale që ende presin drejtësi, ndërsa një numër i vogël i kryerësve të këtyre krimeve nuk janë përballur ende me ligjin”, tha Hamza.
Ai theksoi se dhuna seksuale gjatë luftës nuk ishte akt i rastësishëm, por një strategji e paramenduar nga shteti serb për të thyer shpirtin e popullit të Kosovës. Megjithatë, sipas tij, kjo përpjekje dështoi përballë qëndresës dhe dinjitetit të qytetarëve të Kosovës.
“Gratë dhe burrat e Kosovës nuk u thyen. Ata triumfuan mbi dhunën, duke ruajtur dinjitetin dhe duke ndërtuar jetën përpara,” u shpreh ai.

