Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së është mbledhur dhe ka vendosur datat e mbajtjes së intervistave.
Kryetarja e komisionit ad-hoc, Arbërie Nagavci, njoftoi se për anëtarë të Bordit të RTK-së kanë pranuar aplikime nga gjithsej 67 kandidatë nga komuniteti shqiptar, 3 kandidatë nga komuniteti serb dhe 5 nga komunitetet tjera.
Ajo ka propozuar që intervistat për kandidatët të mbahen nesër më 15 prill dhe të premten më datë 17 prill. Anëtarët i vendosën këto data me 7 vota për dhe 2 kundër.
Këtë e kundërshtoi anëtarja e komisionit ad-hoc, Ganimete Musliu duke thënë se është periudhë e shkurtër kohore dhe se është dashur së paku tre ditë përpara të dihet se kur nisin intervistat.
“Mendoj që duhet ta zhvillojmë një proces kualitativ dhe jo një të ngutshëm. Është shumë e qartë që nuk ka bord dhe ka pengesa, por kjo s’ka ndodhur sot, as dje, është koha e gjatë që agjencionet e pavarura nuk i kanë të kompletuara bordet dhe nuk mund të marrin vendimet. Mënyra e ngutshme për t’i trajtuar këto çështje nuk i ndihmon proceset as institucionet, përkundrazi i degradon. Unë nuk jam e interesuar që me kontributin tim të degradoj këtë institucione. Andaj unë jam kundër që nesër të zhvillohen intervistat sepse nuk ka kushte”, tha ajo.
Musliu pas replikave të ndërsjella ende pa nisur procesi i votimit është larguar nga mbledhja.
Nagavci ka thënë se nga mbledhja e kaluar është ditur që intervistat do të nisin nga nesër dhe edhe kandidatët kanë qenë njoftuar për këtë planifikim. Ajo shtoi se ishin dakorduar që ditën e martë (sot) kandidatët të njoftohen për orën e saktë të intervistave.
“Janë dy standarde që duhet ndërtuar: transparenca që këtu hyn edhe efikasiteti por edhe respektimi i të drejtave të kandidatëve që kanë konkurruar për këtë garë, që synojnë të bëhen pjesë e Bordit të RTK-së. Ajo që paraprakisht janë njoftuar se ne planifikojmë intervistat këtë javë nuk është e saktë. Ne duhet së paku 48 orë t’u japim kohë kandidatëve të njoftohen për orarin e saktë të thirrjes së tyre…Ne sot do ta shqyrtojmë një listë, mund të eliminohet dikush ose një numër i konsiderueshëm i kandidatëve. Personi mund të vijë dhe të pres te dera sipas njoftimit tuaj dhe mund të krijohet një situatë e palakmueshme…”, tha Armend Zemaj, duke kërkuar gjithashtu kohë shtesë.

