Thursday, April 16, 2026
HomeLajmeKosovëKurti:1925 raste të njohura për të mbijetuarit e dhunës seksuale në luftë

Kurti:1925 raste të njohura për të mbijetuarit e dhunës seksuale në luftë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar angazhimin institucional për njohjen, mbështetjen dhe trajtimin me dinjitet të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke bërë të ditur se deri tani janë 1925 raste të njohura nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit.

Në një fjalim të mbajtur në Kryeministri me rastin e 14 Prillit – Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale nga lufta e fundit, Kurti tha se kjo ditë është ditë kujtese dhe përgjegjësie institucionale për një nga plagët më të rënda dhe më të heshtura të luftës.

Ai theksoi se për shumë vite kjo dhimbje ka mbetur e fshehur për shkak të frikës, stigmatizimit dhe mungesës së hapësirës për rrëfim, ndërsa shtoi se institucionet e Kosovës kanë detyrim moral dhe shtetëror që ta bëjnë atë të dukshme dhe të adresueshme.

Kurti u ndal veçanërisht te roli i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit, duke thënë se ai synon t’u garantojë të mbijetuarve njohje, dëgjim dhe trajtim me respekt, në një proces konfidencial dhe të sigurt. Ai shtoi se institucionet, së bashku me organizatat partnere, po punojnë për ta përmirësuar vazhdimisht këtë proces dhe për ta bërë më të qasshëm dhe më të ndjeshëm ndaj përvojave individuale.

Deri më tani, sipas tij, 1925 raste janë njohur nga komisioni, megjithatë një numër i të mbijetuarve vazhdojnë të përballen me heshtje dhe stigmatizim, duke hezituar të kërkojnë drejtësi dhe mbështetje.

“Këtu qëndron përgjegjësia jonë për të forcuar përpjekjet, për të afruar informacionin dhe për të siguruar që askush të mos mbetet i pambështetur apo i painformuar”, u shpreh ai, duke theksuar nevojën për bashkëpunim më të ngushtë me qytetarët dhe organizatat në terren.

Kurti vlerësoi se rrëfimet e të mbijetuarve dëshmojnë domosdoshmërinë e ndërthurjes së kujdesit shoqëror me drejtësinë shtetërore, duke e cilësuar mbështetjen për ta si obligim të përhershëm institucional dhe shoqëror.

Ai përmendi edhe Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale, të miratuar për herë të parë pas luftës në Kosovë, si dhe punën për dokumentimin e krimeve të luftës përmes institucioneve përkatëse. Po ashtu, theksoi mbështetjen financiare për organizatat që ndihmojnë të mbijetuarit, përfshirë Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, Medica Gjakova dhe Medica Kosova.

Në fund, Kryeministri Kurti tha se ndërtimi i besimit, afrimi i institucioneve me qytetarët dhe përmirësimi i vazhdueshëm i procesit të aplikimit janë thelbësorë për të siguruar që çdo e mbijetuar të ketë mundësi të kërkojë njohje dhe drejtësi.

“Jemi krah për krah në rrugën e drejtësisë dhe barazisë”, përfundoi ai.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments