“Po helmohemi nga urrejtja”, akademik Ali Aliu ngre alarm për gjendjen politike në Kosovë dhe Shqipëri.
Në një intervistë ekskluzive për Radio Kosovën, Aliu flet për “helmim” të klimës politike dhe një shoqëri që, sipas tij, po humb ekuilibrin mes urrejtjes dhe dialogut.
Akademiku Ali Aliu ka komentuar gjendjen aktuale politike dhe shoqërore në Kosovë dhe Shqipëri, duke e lidhur atë me vizionin e poetëve të mëdhenj shqiptarë.
Ai ka ngritur shqetësimin për një klimë të tensionuar politike, ku komunikimi publik, sipas tij, po degradohet në përplasje dhe mungesë dialogu racional.
“Një marrosje të tillë fatkeqësisht kemi. Ç’po bëhet edhe në Shqipëri: një pozitë-opozitë ende komunikimin e kanë përmes dhunës, përmes fishekzjarreve, përmes tegullave me benzinë e ku di unë,” u shpreh Aliu për Radio Kosovën.
Sipas tij, kjo situatë ka krijuar një atmosferë të rënduar shoqërore, të cilën e përshkruan si një “helm” që po depërton në marrëdhëniet politike dhe sociale.
“Po, në një mënyrë, edhe këtu tek ne sikur një helm i tillë… një ndjenjë për hakmarrje që është burim i urrejtjes, një urrejtje që ishte e paimagjinueshme në një kohë kur ishim gjysmë të lirë,” theksoi ai.
Duke iu referuar letërsisë shqipe, Aliu thekson se poetët e mëdhenj si Dritëro Agolli dhe Azem Shkreli e kanë parandjerë më herët këtë deformim të klimës shoqërore, duke e shprehur përmes metaforës dhe artit.
Sipas tij, ajo që dikur dukej si gjuhë poetike, sot lexohet si reflektim i një realiteti të ashpër politik e shoqëror të mbushur me polarizim dhe mungesë komunikimi. Në këtë kontekst, akademik Ali Aliu sjell edhe një reflektim nga një perspektivë ndërkombëtare mbi situatën poltike.
“Më kujtohet tash një nga figurat ndërkombëtare të politikës që ka qenë në krahun tonë, që ka ndihmuar Kosovën që në vitet ’90 sidomos. Para nja 10-15 ditëve më ra në sy një deklaratë dëshpëruese e tij: thotë, po atëherë e pamë dhe ndjemë nevojën që kosovarët, shqiptarët, duhet t’i mbrojmë nga pushtuesi, nga të tjerët, por tani ç’është kjo që ne sikur duhet t’i mbrojmë nga vetvetja ata. Domethënë është një periudhë që të lutemi të jetë sa më e shkurtër, mos të zgjasë kështu, siç janë këta muaj” u shpreh Aliu.
Intervista e plotë transmetohet sonte prej orës 18:30 në Radio Kosova 1, në emisionin “Ligjërim” me Fatmire Rrahmanin.

