Ambasada gjermane fillon sot aktivitetet “Ditët e Gjuhës Gjermane, që zgjasin deri më 4 maj. Aktivitetet përfshijnë një gamë të gjerë ngjarjesh – nga gara në gjuhën gjermane për nxënës, diskutime letrare, performanca muzikore e teatrore, deri te ekspozita dhe punëtori kreative synojnë jo vetëm promovimin e gjuhës, por edhe forcimin e shkëmbimit kulturor dhe artistik mes Kosovës dhe Gjermanisë.
Ditët e Gjuhës Gjermane 2026 nisin sot, nën organizimin e Ambasada Gjermane në Kosovë, dhe do të zgjasin deri më 4 maj, duke sjellë një program të pasur kulturor, artistik dhe edukativ në disa qytete të vendit, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Pejën dhe Mitrovicën.
Aktivitetet përfshijnë një gamë të gjerë ngjarjesh – nga gara në gjuhën gjermane për nxënës, diskutime letrare, performanca muzikore e teatrore, deri te ekspozita dhe punëtori kreative.
Një theks i veçantë i këtij edicioni janë edhe shfaqjet e filmave gjermanë, që do të prezantohen në hapësira kulturore si Kino Armata në Prishtinë dhe kinema të tjera në vend, duke sjellë klasikë dhe prodhime bashkëkohore që reflektojnë tema shoqërore dhe artistike.
Në fokus është gjithashtu dimensioni letrar dhe politik. Në kuadër të këtyre aktiviteteve do të mbahen edhe ditët e hapura në gjimnazin Loyola në Prizren dhe Qendrën e Kurseve “Goethe‑Zentrum” në Prishtinë.
Më 21 prill, politikani gjerman Michael Rothdo të mbajë një lexim dhe diskutim rreth librit të tij “Zonen der Angst” ( “Zonat e Frikës”), duke hapur debat mbi çështje aktuale dhe rëndësinë e dialogut demokratik.
Ndërkaq, shtëpia botuese Dukagjini më 23 prill, do të prezantojë botimet në gjuhën shqipe të 16 veprave të Hermann Hesse-s.
Ndërkohë, më 4 maj në Prishtinë, autorja Jehona Kicaj do të sjellë një mbrëmje të veçantë letrare, ku do të lexojë fragmente nga romani i saj “ë” dhe do të diskutojë me publikun mbi procesin krijues dhe temat e veprës.
Programi pasurohet edhe me përmbajtje digjitale përmes Suzanne Podcast, ku publikohen episode dhe intervista me artistë nga Kosova dhe Gjermania, duke krijuar ura komunikimi ndërkulturor.
Ditët e Gjuhës Gjermane synojnë jo vetëm promovimin e gjuhës, por edhe forcimin e shkëmbimit kulturor dhe artistik mes Kosovës dhe Gjermanisë.

