Sunday, April 19, 2026
HomeLajmeKosovëGjyqi në Hagë, Qerkini thotë se provat janë në anën e mbrojtjes

Gjyqi në Hagë, Qerkini thotë se provat janë në anën e mbrojtjes

Në Gjykatën Speciale në Hagë pritet vendimi përfundimtar në gjyqin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve. Avokati Artan Qerkini vlerëson se provat janë në anën e mbrojtjes dhe kërkon pafajësi, ndërsa nga Gjykata nuk japin detaje nëse vendimi mund të merret brenda 90 ditëve.

Fjalët përmbyllëse në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit përfunduan më 18 shkurt, ndërsa më 19 maj bëhen 90 ditë nga mbyllja zyrtare e rastit. Tashmë, gjithçka mbetet në duart e trupit gjykues, në pritje të vendimit final.

Avokati Artan Qerkini thotë se, ndonëse vlerësimi final i provave bëhet gjatë vendimmarrjes, një pjesë e tyre është analizuar edhe gjatë gjykimit. Qerkini thekson se drejtësia është më e rëndësishme sesa shpejtësia e procesit.

“Marrë parasysh faktin se trupi gjykues ka pasur vetëm këtë çështje në trajtim, besoj se një pjesë eprovave janë vlerësuar edhe gjatë gjykimit. Por vlerësimi përfundimtar bëhet në fazën e vendimmarrjes. Nëse nevojitet kohë shtesë, është e natyrshme që ajo të merret për të siguruar një vendim të drejtë”, tha ai.

Sipas Qerkinit, edhe pse prokuroria ka paraqitur numër të madh provash dhe dëshmitarësh, cilësia e tyre mbetet e diskutueshme.

“Prokuroria është munduar ta zëvendësojë mungesën e cilësisë me sasi. Ka thirrur rreth 150 dëshmitarë, ndërsa mbrojtja vetëm 8, por me cilësi shumë të lartë. Prandaj mendoj se cilësia e provave është në anën e mbrojtjes dhe vendimi i vetëm i ligjshëm është pafajësia”, shtoi ai.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle, tha se ende nuk dihet nëse trupi gjykues do ta shpallë vendimin brenda tre mujorit te parë.

“Pas mbylljes së çështjes, Trupi Gjykues ka 90 ditë kohë për të shqyrtuar me kujdes provat dhe argumentet e paraqitura dhe për të arritur në një vendim. Nëse u nevojitet më shumë kohë për shqyrtimet e tyre, këto 90 ditë mund të zgjaten. Deri më tani, nuk ka informacion publik nëse shqyrtimet do të zgjasin përtej periudhës fillestare 90-ditore”, pohoi ai.

Ndër të tjera, avokati Qerkini, kritikon edhe vazhdimin e paraburgimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, duke e cilësuar si të pajustifikueshëm në këtë fazë. Deri në vendimin përfundimtar katër të akuzuarit do të vazhdojnë të qëndrojnë në Qendrën e Paraburgimit në Holandë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments