Me 69 vota për, dy kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin nr.10/L-023 për Shtetësinë e Kosovës. Kundërshtime pati nga partitë opozitare
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Mefail Bajqinovci, u bëri thirrje partive që ta mbështesin projektligjin.
“Projektligji prek jetën e qytetarëve tanë, prek të drejtën e tyre për t’u ndjerë pjesë e këtij shteti; lehtësimi i procedurave për shtetësi është një hap i domosdoshëm për të forcuar lidhjen e qytetarëve me Republikën e Kosovës, sidomos për bashkatdhetarët tanë që jetojnë jashtë vendit. Prandaj ju ftoj që ta mbështesni këtë projektligj bashkë me amandamentin e propozuar nga Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes”, tha ai.
Nga ana tjetër, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e kundërshtoi projektligjin, duke theksuar se është trajtuar me procedura të përshpejtuara.
“Sjellja e tij në Kuvend është bërë me procedura të përshpejtuara, pa respektuar afatet ligjore dhe pa përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme. Po ashtu, për shkak të agjendës së ngjeshur dhe mbivendosjes së komisioneve, kemi pasur vështirësi të shqyrtojmë seriozisht këtë projektligj. Edhe në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes kam ngritur çështje kontestuese, por nuk kam marrë përgjigje të argumentuara nga përfaqësuesit e ministrisë”, u shpreh ajo.
Ajo gjithashtu i bëri thirrje ushtrueses së detyrës së presidentes që ta shqyrtojë me kujdes ligjin para nënshkrimit, duke shtuar se sipas saj ai mund të ndikojë në sigurinë e brendshme të vendit.
Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, deklaroi se partia e saj nuk do ta mbështesë projektligjin.
Ndërsa deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, tha se partia e saj është në parim dakord me nevojën për ligj të ri, por nuk e sheh të arsyeshme mbështetjen e tij në formën aktuale.
Tutje Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme ka miratuar edhe projektligjin për Provimin e Maturës Shtetërore, i cili është votuar nga 66 deputetë, ndërsa nuk kishte asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Po ashtu me 72 vota për është miratuar në shqyrtim të dytë edhe Projektligji për Lëndët Plasëse.
Kuvendi miraton edhe Projektligjin për Lojërat Mesdhetare `Prishtina 2030`
N. Mekolli /RTKlive
Në vazhdim të seancës së sotme plenare, Kuvendi i Kosovës ka miratuar edhe projektligjin për Lojërat Mesdhetare XXI “Prishtina 2030”, pas një sërë diskutimesh nga deputetët dhe Projektligjin për Banim Social dhe të Përballueshëm,.
Projektligji kaloi në shqyrtimin e dytë me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, duke marrë mbështetje të plotë nga të pranishmit në sallë.
Miratimi i këtij projektligji konsiderohet hap i rëndësishëm në organizimin e kësaj ngjarjeje të madhe ndërkombëtare që pritet të mbahet në Kosovë.
Deputetët pritet të debatojnë dhe votojnë për disa projektligje të tjera që konsiderohen me ndikim të gjerë institucional dhe shoqëror.
Po ashtu Projektligji për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore është miratuar me 68 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kurse Projektligji për Banim Social dhe të Përballueshëm në shqyrtim të dytë është votuar me 71 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

