Kryeministri Albin Kurti ka fajësuar Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës për proceset që ka kaluar vendi drejt zgjidhjes së një presidenti, nëpërmjet një video mesazhi të shpërndarë në facebook.
“Çdo takim me ta është inicuar çdo herë nga unë, thua se Kosova është vetëm e imja. Krerët e PDK-së dhe LDK-së fatkeqësisht po sillen edhe më keq se Fatmir Limaj në vitin e kaluar. Realisht, ata nuk janë duke dashur as pushtet dhe as përgjegjësi për veten e tyre. Krejt çfarë duan është që ne dhe unë të mos kemi pushtet. Por, këtë gjë nuk e vendosin ata”, ka thënë ai.
Kurti në këtë videomesazh ka folur për ecurinë e takimeve me këto parti politike. Ai ka thënë se duhet patur parasysh vullnetin politik të qytetarëve, duke potencuar se LVV ka mazhorancën.
“Demokracia duhet të bazohet në vullnetin e popullit dhe në rezultatin zgjedhor, jo në marrëveshje politike që e anashkalojnë dhe shkelin atë. Pa respektimin e vullnetit të qytetarëve nuk mund të ketë marrëveshje politike. Ndërkaq, qëllimi është të shmangen zgjedhjet e përsëritura dhe të sigurohet stabiliteti institucional”, ka thënë Kurti.
Ai tha se duhet shmangur zgjedhjet sepse ato janë të panevojshme dhe humbin kohë dhe mjete të buxhetit.
“Organizimi i zgjedhjeve të reja do t’i kushtonte Kosovës së paku 10 milionë euro, mandej për shkak të mungesës së funksionimit të Kuvendit do të humbisnim shumë dhjetëra miliona euro të tjerë nga bashkësia ndërkombëtare, ndërkohë që rezultatet e zgjedhjeve të sërishme do të mund të ishin pak a shumë të përafërta me ato ekzistuese”, ka thënë ai.

