Fort të nderuar miq, kolegë dhe komuniteti i gazetarëve,
Së pari, gjej rastin t’ju falënderoj për çdo mesazh kujdesi, mbështetjeje dhe solidariteti! Në situata të tilla, këto fjalë dhe ky qëndrim më ka ndihmuar shumë për ta përballuar më lehtë dhe për të kuptuar se nuk jemi vetëm.
Sot, rreth orës 02:45 të mëngjesit, vetëm pak metra larg banesës sime në Bulqizë, është djegur qëllimisht makina ime. Nga sa kam konstatuar, nuk bëhet fjalë për një zjarr aksidental, por për një akt të pastër dhe të paramenduar.
Prej afro 10 vitesh punoj si gazetar dhe me shumë përkushtim kam themeluar Bulqizaime.al, me synimin për të ndërtuar një media lokale të pavarur, profesionale dhe në shërbim të qytetarëve. Gjithmonë jam përpjekur t’i qëndroj besnik misionit të gazetarisë: mbrojtjes së interesit publik, raportimit të paanshëm dhe zërit të komunitetit.
Këtë e kam bërë që nga dita e parë dhe do të vazhdoj ta bëj, pavarësisht çdo presioni apo përpjekjeje për të më intimiduar. Fundja, kur zgjedh të jesh i drejtë, i ndershëm dhe i përkushtuar ndaj profesionit, përballja me vështirësi dhe shqetësime të tilla bëhet pjesë e rrugës që nuk mund ta shmangësh.
Ngjarja e ndodhur është e lidhur drejtpërdrejt me punën time si gazetar. Këtë e kam deklaruar qartë edhe para oficerëve të policisë dhe grupit hetimor.
Ky është një mesazh frikësimi, por dua ta them qartë: ata që e kanë bërë këtë akt nuk do të arrijnë të më kërcënojnë apo të më ndalin. Për mua, gazetaria nuk është thjesht profesion, por mision në shërbim të publikut dhe do të vazhdoj ta ushtroj me të njëjtin përkushtim, me çdo çmim.
Prej javësh kemi qenë përballë përpjekjeve të vazhdueshme për të ndikuar dhe ushtruar presion mbi punën tonë, veçanërisht për temat që kemi trajtuar dhe ato që janë ende në proces raportimi. Megjithatë, çdo shqetësim i qytetarëve, çdo hall i një banori që i preket jeta, prona apo e drejta, do të gjejë gjithmonë derën tonë të hapur dhe hapësirën e nevojshme për t’u dëgjuar.
Mbrojtja e interesit publik, çështjet e mjedisit, problemet e komunitetit dhe protestat që lindin në çdo cep të Dibrës kanë gjetur dhe do të vazhdojnë të gjejnë vend në raportimin tim. Kjo është dhe do të mbetet misioni im kryesore në çdo moment: të jemi në anën e publikut dhe të së vërtetës.
Falënderoj të gjithë kolegët, organizatat e gazetarëve, miqtë dhe qytetarët që kanë reaguar dhe kanë kërkuar zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje!
Besoj dhe kërkoj që institucionet përgjegjëse ta hetojnë me seriozitet maksimal këtë rast, të identifikojnë autorët dhe t’i vendosin përpara drejtësisë! Kjo jo vetëm për të zbardhur këtë ngjarje, por edhe për të mos lejuar që raste të tilla të përsëriten apo të shërbejnë si nxitje për akte të ngjashme ndaj gazetarëve dhe kujtdo që ushtron detyrën në interes të publikut.
As frika, as presioni dhe as sulmet nuk do të më ndalin në detyrën time për të raportuar. Koha do e tregojë më së miri këtë që po them.

