Tuesday, April 28, 2026
HomeLajmeKosovëAkcizë për stabilizimin e tregut të qumështit e mbrojtjen e konsumatorit

Akcizë për stabilizimin e tregut të qumështit e mbrojtjen e konsumatorit

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural njofton për një paketë të integruar masash për stabilizimin e tregut të qumështit, mbrojtjen e prodhimit vendor dhe forcimin e sigurisë ushqimore, të ndërmarra pas konsultimeve me Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit, Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Ministrinë e Financave dhe Doganën e Kosovës, duke kombinuar instrumente fiskale dhe masa të forta rregullatore në kufi dhe në treg.

Këto masa vijnë si përgjigje ndaj zhvillimeve strukturore në tregun e qumështit, ku prodhimi vendor mbetet i qëndrueshëm, por kërkesa efektive për të është nën presion të vazhdueshëm nga përdorimi në rritje i inputeve alternative, si qumështi pluhur dhe yndyrat bimore. Analizat tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e prodhimit vendor nuk absorbohet nga industria përpunuese, ndërsa importet dhe produktet zëvendësuese ushtrojnë presion të drejtpërdrejtë mbi tregun dhe çmimet e fermerëve.

Në këtë kuadër, Ministria e Bujqësisë i ka propozuar Ministrisë së Financave vendosjen e akcizës për qumështin e koncentruar (HS 0402), propozim i cili është miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Kjo masë do të mbetet në fuqi me qëllim korrigjimin e shtrembërimeve në treg dhe krijimin e kushteve më të drejta konkurrence për prodhuesit vendorë.

Ministri gjithashtu ka marrë vendim për forcimin e kontrolleve zyrtare në kufi dhe në treg, përmes të cilit obligohet Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) të zbatojë një regjim të shtuar kontrolli për produktet që përmbajnë qumësht pluhur dhe vaj palme, duke përfshirë verifikimin e identitetit të produkteve, kontrollin fizik dhe analizat laboratorike, me qëllim që çdo produkt i vendosur në treg të jetë në përputhje të plotë me përbërjen reale dhe kërkesat ligjore.

Po ashtu, janë vendosur rregulla më të rrepta për transparencë dhe etiketim, duke obliguar operatorët ekonomikë të deklarojnë saktë përbërjen e produkteve të qumështit, qumështit pluhur dhe atyre që përmbajnë vaj palme, si dhe duke ndaluar çdo praktikë që mund të çojë në mashtrim të konsumatorit. Në rast të mospërputhjeve, parashihen masa të menjëhershme për ndalimin, tërheqjen nga tregu dhe sanksionimin e produkteve jo-konforme.

Masat e kontrollit do të zbatohen për një periudhë fillestare prej 90 ditësh, me kontroll të intensifikuar për produktet me rrezik të lartë, monitorim të vazhdueshëm të tregut dhe vlerësim të efekteve të ndërhyrjes, ndërsa masa e akcizës do të mbetet në fuqi si instrument afatgjatë për stabilizimin e tregut dhe mbështetjen e prodhimit vendor.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram