Në Golders Green, në veri të Londrës, ku jeton një popullsi e konsiderueshme hebraike në Mbretërinë e Bashkuar, dy burra u plagosën në një sulm me thikë, sipas organizatës së sigurisë Shomrim.
Shomrim raportoi se një burrë u pa duke vrapuar në rrugë me një thikë në dorë dhe duke u përpjekur të godiste me thikë anëtarë të komunitetit hebre. Sulmuesi u ndalua nga anëtarët e organizatës.
Sipas BBC- së , policia mbërriti në vendngjarje dhe e arrestoi burrin. Gazeta raporton se viktimat pësuan lëndime të rënda dhe po marrin ndihmë mjekësore.
Policia raportoi se viktimat ishin burra të moshës 30 dhe 70 vjeç. Sulmuesi, një burrë 45-vjeçar, u arrestua me dyshimin për tentativë vrasjeje. Detajet e mëtejshme janë ende të panjohura.
“Komuniteti hebraik i Londrës ka qenë shënjestër e një sërë sulmesh tronditëse antisemite. Nuk ka vend për antisemitizëm në shoqëri. Policia ka shtuar patrullat në zonë”, shkroi kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, në rrjetet sociale.

Kryeministri britanik Keir Starmer komentoi gjithashtu incidentin. “Sulmet ndaj komunitetit tonë hebraik janë sulme ndaj Britanisë”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Në javët e fundit, komuniteti hebraik i Londrës është goditur nga një valë sulmesh antisemite, raporton CNN . Muajin e kaluar, katër ambulanca që i përkisnin një organizate bamirëse hebraike në Golders Green u dogjën. Një sinagogë dhe ish-ambientet e një organizate bamirëse hebraike u sulmuan më pas.

