Thursday, April 30, 2026
HomeLajmeKosovëMuja takon Prattipatin, diskutohet thellimi i bashkëpunimit në bujqësi

Muja takon Prattipatin, diskutohet thellimi i bashkëpunimit në bujqësi

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, priti në takim të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Annu Prattipati.

Sipas njoftimit nga kjo ministri, gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e ndërsjellë në fushën e bujqësisë, me theks të veçantë në avancimin e projekteve që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit dhe në rritjen e kapaciteteve institucionale.

Me këtë rast, Prattipati e uroi ministrin Muja për detyrën e re, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten një partner kyç në mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes projekteve dhe iniciativave të ndryshme zhvillimore.

“Ministri Muja e falënderoi znj. Prattipati për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e deritanishëm, duke theksuar rëndësinë e thellimit të mëtejmë të partneritetit në funksion të zhvillimit të sektorit të bujqësisë dhe përmirësimit të mirëqenies së fermerëve në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në përmbyllje, Ministri Muja shprehu mirënjohjen e tij të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin e tyre të vazhdueshëm ndaj Republikës së Kosovës, duke theksuar rolin e tyre si partner strategjik në zhvillimin institucional dhe ekonomik të vendit.

“Të dy palët u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen”, thuhet tutje në njoftim. 

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram