Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur prezantimin e një rezolute në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Në reagimin e saj, ajo ka theksuar rëndësinë e kësaj nisme dhe ka shprehur mirënjohje për kongresistët Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler për, siç u shpreh ajo, lidershipin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në rrugën e saj euroatlantike.
“Mirënjohje për Përfaqësuesit Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler për lidershipin e tyre dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Kosova ta zërë vendin që i takon në familjen euroatlantike”, ka deklaruar Haxhiu.
Kujtojmë se në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së është paraqitur një rezolutë nga kongresmenët Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler që mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në NATO. Dokumenti vlerëson sistemin demokratik dhe stabilitetin e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e saj strategjike në rajon.
Në rezolutë thuhet se anëtarësimi i Kosovës do të ndihmonte në forcimin e sigurisë në Evropën Juglindore dhe në frenimin e ndikimeve destabilizuese. Po ashtu, theksohet se mungesa e njohjes nga disa vende anëtare të NATO-s mbetet pengesë për procesin e integrimit të saj.
“Kosova ka dëshmuar përkushtim ndaj stabilitetit rajonal dhe përafrimit me vendet e NATO-s, por përparimi i saj po pengohet nga mungesa e njohjes nga disa aleatë. Shtimi i Kosovës në aleancë është i rëndësishëm për përballimin e ndikimit të kundërshtarëve në Evropë”, ka deklaruar kongresmenit Keith Self.

