Përfaqësuesit e tri partive politike opozitare, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, kanë kundërshtuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për emërimet e fundit të zëvendësministrave, duke i cilësuar këto veprime të panevojshme në prag të zgjedhjeve të parakohshme dhe në kohën kur qeveria ka kaluar në detyrë.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj këtyre vendimeve, duke thënë se Kurti po vazhdon të emërojë zëvendësministra dhe të hapë konkurse për pozita të larta në shërbimin civil, edhe pse Kuvendi është shpërndarë dhe Qeveria është në detyrë.
Ajo ka theksuar se kjo sjellje përbën abuzim me shtetin dhe se Kurti po sillet sikur institucionet janë “pronë private”, duke e quajtur këtë mënyrë veprimi një mentalitet abuzues dhe jo funksionim institucional.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i ka cilësuar të panevojshme dhe të pahijshme emërimet e fundit të zëvendësministrave nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, sidomos në këtë periudhë para zgjedhjeve.
Ai ka deklaruar se, edhe pse këto veprime mund të mos jenë në kundërshtim me ligjin, nuk duken të hijshme kur kanë mbetur rreth 40 ditë deri në votim dhe kur vendi është në prag të zgjedhjeve.
Ndërkaq, anëtarja e kryesisë së LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se Qeveria është në dorëheqje dhe se në këtë situatë ministrat kanë kompetenca të kufizuara, prandaj emërimi i zëvendësministrave është i pajustifikueshëm.
Sipas saj, këto emërime nuk bëhen për nevoja pune, por vetëm që individët të marrin pagë nga buxheti i shtetit pa bërë asgjë, duke e quajtur këtë “zhvatje të buxhetit” dhe abuzim me pozitën zyrtare.
Kujtojmë se një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se janë emëruar tre zëvendësministra të rinj: Ali Dula si zëvendësministër i parë në Ministrinë për Zhvillim Rajonal, Agon Batusha në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Hysni Mehmeti në Ministrinë e Financave.

