Pranë kontejnerëve për mbeturina pothuajse në secilën lagje të Prishtinës është krijuar edhe një vend ilegal për hedhjen e mbeturinave inerte.
“Askund në botë nuk ka kështu, vetëm te ne. Vijnë i heqin me kamionët e pastrimit, por prapë i hedhin, kjo gjendje na pengon shumë”, ka thënë qytetari.
Njësoj është edhe pranë kompleksit “Kurrizi” në “Dardani”, pas renovimit ato që kanë tepruar janë hedhur pranë kontejnerëve dhe këtu do të qëndrojnë deri sa kompania përgjegjëse të vijë me makineri të veçantë për t’i larguar.
“Ndodh që edhe dy muaj rrinë këtu mbeturinat, sepse të gjitha këto banesa kur bëjnë renovime, mbetjet duhet t’i hedhin diku. Sikur të na tregonin adresën se ku t’i hedhim, ne do t’i çonim me rregull dhe me çmim të volitshëm. Gjatë verës është edhe më keq, sepse vjen diaspora dhe mbushet kjo pjesë me materiale ndërtimore”, ka shtuar qytetari tjetër.
“Kamionët vijnë me rregull, por ato janë mbeturina të mëdha dhe nuk mund t’i marrë kamioni i zakonshëm. Për to duhet kamion special. Banorët vazhdimisht i hedhin dhe ato rrinë aty nga një muaj”, është shprehur qytetari.
Kjo gjendje është në rrugën “Mark Isaku”, te lagjja “Qafa” në Prishtinë. Ky vend tashmë është bërë hapësirë e zakonshme për hedhjen e dyshekëve dhe mbeturinave te tjera të vëllimshme. Pranë kësaj deponie të krijuar nga vetë banorët, çdo ditë ka frekuentim të madh të qytetarëve.
Për hedhjen e mbeturinave inerte të kryeqytetit dhe fshatrave të tij, komuna e Prishtinës e ka përcaktuar këtë lokacion në Matiqan, ku edhe banorët kanë të drejtë që mbeturinat e mëdha t?i dërgojnë këtu.

