Lëndimi, traumatizimi dhe abuzimi me ndjeshmërinë publike përmes mediave, është përgjegjësi e editorit dhe cënon rëndë Kodin e Etikës së Mediave Shqiptare
Tiranë më 3 Maj 2026
Sot është Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit, (që në të vërtetë duhet korektuar) të Mediave, qyshse kur shtypi i shkruar nuk është më, sikundër ka qenë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë si në çdo vit, në këtë datë jo vetëm reagon dhe publikon, por sjell në vëmendje të komunitetit të gazetarëve profesionistë të vendit dhe më gjerë, çështjet më përmbajtësore, problemet më të mprehta dhe gjendjen reale të skenës mediatike të vendit dhe sidomos të gazetarëve.
Nga viti në vit gjendja dhe realiteti i gazetarëve në Shqipëri mbart probleme të vjetra dhe shton të reja, mbetet në çështje të pazgjidhura dhe i shtohen të reja, vuan probleme kronike, sikundër pëson të reja.
Në këtë 3 Maj 2026 UGSH konstaton se mediat dhe sidomos skena mediatike e Shqipërisë njeh një shtim në përmasa inflacioniste të mediave të reja. Ende në vendin tonë printohen 7 gazeta të përditshme, mes te cilave një gazetë sportive. Ka dy gazeta kombëtare javore kulturologjike, tre revista periodike mujore. Ka ende 70 radio, 70 televizione, 100–110 operatorë kabllorë, 5 platforma numerike tokësore dhe tri platforma dixhitale. Ndërkohë që në mediat e reja të cilat sipas një statistike të UGSh, ka aktualisht mbi 665 media të reja online, në të cilat janë të punësuar mbi 1300 vetë, kryesisht gazetarë, si dhe të diplomuar për IT, gazetari dhe shkenca komunikimi si dhe studentë që vijojnë studimet.
Në krejt këtë spektër multimedial të vendit, janë të punësuar mbi 5200 punonjës të kategorive të ndryshme profesionale, prej të cilëve mbi 2170 mbajnë statusin si gazetarë dhe redaktorë në strukturat redaksionale.
Mediat kanë probleme në shumicën e tyre, me ekzistencën financiare. Struktura financuese në ato është ende e mbuluar me informalitet dhe karakterizohet nga një sistem jo i qëndrueshëm financimi dhe funksionimi ekonomik. Për këtë arsye ka probleme serioze me skenat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për gazetarët dhe punonjësit. Nga një kampion sondazhi i realizuar nga UGSH gjatë periudhës Janar-Prill 2026 pranë anëtarësisë sonë të shpërndarë në gjithë spektrin multimedial të vendit mësojmë se janë 10 media audiovizive në Tiranë që kanë krijuar probleme serioze për shkak të mospagesave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punonjësit dhe gazetarët. Janë mbi 15 media që kanë krijuar vonesa të ripërsëritura të pagesave mujore të gazetarëve dhe punonjësve për këtë periudhë katër mujore të këtij viti.
Ka një sistem pagash diskriminues për shumicën e reporterëve, redaktorëve dhe punonjësve mediatikë. Ka disnivele mes një kaste emrash si editorë, moderatorë emisionesh politike dhe kategorive që kontribuojnë në strukturat e tjera redaksionale të spektrit multimedial të mediave kombëtare, ka një sistem pagesash në dorë dhe një hise përmes sistemit bankar. Ka një autoritet të padiskutueshëm pronarësh dhe administratorqësh të mediave që shpërfill, injoron dhe keqpërdor atributet e editorit të mediave shqiptare.
UGSH konstaton se problem serioz që ka të bëjë me raportin mes lirisë individuale të gazetarit, censurës pronësore të mediave si dhe atyre që vijnë prej grupeve të interesit dhe elitave politike, imponohen përmes një statusi të munguar dhe përshkrimi pune formale për atributet e editorit të mediave. Për shkak të këtyre të fundit, mediat e rëndësishme të vendit janë ndarë në media pro dhe kundër dy palëve kryesore politike. Ndërkohë që shumica qeverisëse ndjek politika selektive në ndarjen e financave dhe donacioneve publike ndër media. Këto politika kanë shkaktuar suprimim të rolit dhe autoritetit të editorit si dhe kanë goditur rëndë gazetarët dhe mediat vendore si dhe strukturat redaksionale të profilit investigativ dhe atyre për raportim të thelluar.
Krejt skena mediatike e vendit nuk ka struktura sindikale, qoftë për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve, ashtu edhe për punonjësit mediatikë në përgjithësi. Ky është dështim i vetë komunitetit, i organizatave tona, përfshi edhe UGSH, i OSBE dhe sidomos i disa entiteteve të financuara për këtë qëllim nga organizma dhe organizata ndërkombëtare që monitorojnë lirinë e medias në vend.
Media publike është goditur në atë farë mase, sa sot debati dhe diskutimi më i mprehtë për rolin apo rëndësinë e saj është i lidhur vetëm me dilemën: Do të mbetet apo do të tjetërsohet? Do të zhbëhet apo do të mbyllet?!
Skemat pensionale per gazetarët dhe punonjësit e medias janë tepër diskriminuese. Gjatë pesë vjetëve të fundit kanë dalë në pension 35 gazetarë, paga përfituese mujore e të cilëve shënon shumën prej 28000 lekë (të reja).
Ndërkohë që raporti me mediat e reja është edhe më kritik përsa i përket funksionit dhe rolit informues, besueshmërisë dhe kritereve e mbrojtjes së parimeve të gazetarisë profesionale. Tendenca për t’u vetëcilësuar gazetarë në mediat e reja ka prekur dhe mbartet tek më shumë se 360 persona që vijnë nga rrethana dhe kushte jashtë përgatitjes profesionale, formimit arsimor dhe sidomos kualifikimit dhe përvojës së konsiderueshme në media.
Të nderuar kolegë gazetarë!
Në këtë ditë të rëndësishme për kujtesën dhe historinë e gazetarisë, gjejmë rastin të bashkështojmë reagimin tonë, së bashku me disa kolegë dhe ente apo organizata të tjera për ripërsëritjen si në rastin e pasqyrimit të ndodhisë së sotme në qytetin e Durrësit, ku prej goditjes së fëmijëve gjetën vdekjen dy dhe u plagos një i tretë. Shpërndarja dhe publikimi i imazheve të gjakuara në mediat tona është një akt i përsëritur, është një incident i shpeshtë antietik, që bie ndesh me Kodin e Etikës, por nuk bie ndesh me kulturën dhe ndërgjegjen që kanë krijuar disa përfaqësues të editorit në sp[ektrin multimedial të vendit, sidomos të mediave të reja, dhe disa reporterëve. Papërgjegjëshmëria e mediave ndaj shëndetit mendor të publikut, audiencave nuk duhet toleruar. Për raste të tilla ne mbështesim pa ekuivok organizimet vullnetare të strukturave ekzekutive vetërregulluese si dhe autoritetin e entit publik të mediave audiovizive të vendit.
Liria e cilësishme e mediave dhe gazetarëve është autoritet dhe integritet i një pushteti që e mishëron kurajon bashkë me përgjegjësinë publike.

