Zyrtarët policorë të rajonit të Prishtinës kanë vijuar me aktivitete intensive gjatë javës së kaluar, duke realizuar gjithsej 120 urdhëresa të gjykatës në lokacione dhe aksione të ndryshme. Prej tyre, 32 urdhëresa kanë qenë për vepra penale, ndërsa të tjerat lidhen me kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe procedura të tjera.
Në përputhje me këto urdhëresa, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtjen e dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara.
Sipas njoftimit të policisë, aktivitetet janë shtrirë edhe në fusha të tjera të sigurisë. Gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar 10 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe sasi municionesh të ndryshme.
Po ashtu, në kuadër të sigurisë në trafikun rrugor, policia ka shqiptuar 4,672 masa administrative me gjobë për shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut. Nga këto, 590 kundërvajtje janë evidentuar përmes veturave inteligjente dhe radarëve mobilë.

