Ende nuk dihet se kur do të fillojë së zbatuari ligji për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor, që vlerësohet i rëndësisë së madhe në shërbime shëndetësore. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka nënvizuar se deri në korrik të këtij viti në të gjitha institucionet shëndetësore do të nisë zbatimi i Sistemit Informativ Shëndetësor, si parakusht për implementimin e Ligjit për Sigurimin Shëndetësor.
Çështja e miratimit të ligjit për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor vazhdon të vlerësohet si hap i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës.
Megjithatë, për shkak të zhvillimeve politike, ende nuk dihet se kur do të fillojnë pagesat e para.
I pyetur për këtë, ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, konfirmoi se procesi do të vazhdojë, por pa dhënë një afat konkret.
Ai bëri të ditur se në fazën fillestare do të zhvillohen takime me përfaqësuesit e barnatoreve për t’i shqyrtuar mundësitë e mbulimit të barnave esenciale, si hap i parë drejt funksionalizimit të fondit.
“Me ligjin e ri mundësohen edhe kontraktimet me institucione të ndryshme, përfshirë barnatoret. Një pjesë e madhe e qytetarëve që sot shpenzojnë për trajtimin e tyre janë barnat jashtëspitalore dhe në këtë drejtim do të kemi mundësi menjëherë, sepse sistemi pothuajse është i gatshëm që pas kontraktimit me barnatoret të mundësohet edhe rimbursimi i barnave jashtëspitalore. Prandaj kemi marrë të gjitha masat që, pavarësisht nëse do të ketë një shtyrje që mund të jetë disa javore apo mujore nga ajo që e kemi planifikuar, ky sistem të bëhet mirë, por në të njëjtën kohë edhe ndërtimi dhe funksionalizimi i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, që do të jetë një ndihmesë shumë e madhe për kostot e trajtimit për pacientët, sidomos për barnat jashtëspitalore”, ka thënë Arben Vitia, ministër në detyrë i Shëndetësisë.
Kujtojmë se më 23 prill, Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të dytë ligjin për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, i cili synon ndërtimin e një sistemi më të qëndrueshëm dhe më të drejtë shëndetësor, duke krijuar bazë për financim stabil për të gjithë qytetarët.

