Në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës, Filharmonia e Kosovës do të mbajë një koncert festiv më 8 maj, duke filluar nga ora 19:30, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Nën dirigjimin e maestro Peter Valentoviq dhe me pjesëmarrjen e violonçelistit të njohur ndërkombëtar Victor Julien-Laferrière, publiku do të ketë rastin të ndjekë një program të veçantë tërësisht të dedikuar kompozitorit të shquar çek Antonín Dvorak.
Mbrëmja koncertale do të përfshijë interpretimin e Koncertit për violonçel, një nga veprat më të dashura të repertorit klasik, si dhe Simfoninë nr. 9 “Nga Bota e Re”, një kryevepër që vazhdon të mbetet ndër më të interpretuarat në skenat botërore.
Ky aktivitet synon të sjellë më afër publikun me vlerat e muzikës klasike evropiane dhe të shënojë në mënyrë dinjitoze Ditën e Evropës përmes artit.
Filharmonia e Kosovës fton të gjithë dashamirët e muzikës që t’i bashkohen kësaj mbrëmjeje të veçantë kulturore.

