Prokuroria Themelore në Prishtinë ka sekuestruar nëntë automjete të markave të ndryshme, të cilat dyshohen se janë përfituar përmes veprës penale “mashtrim kompjuterik”, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen nga Departamenti i Përgjithshëm.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik, se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë sekuestruar nëntë (9) automjete të cilat dyshohen se janë përfituar përmes veprës penale ‘’Mashtrimi kompjuterik’’, sipas nenit 277/K, të Ligjit nr.08/L-188 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Automjetet e sekuestruara janë të markave të ndryshme, përkatësisht: tre (3) vetura të tipit Seat Leon, dy (2) Volkswagen Polo, një (1) Golf 8, një (1) Audi A6, një (1) Volkswagen Jetta dhe një (1) Peugeot 2008 Allure.
Theksohet se Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalim të përkohshëm të kësaj pasurie, me qëllim sigurimin e saj deri në përfundim të procedurës penale.

