Ted Turner , themeluesi i CNN-it amerikan, ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare, njoftoi media të mërkurën.
Deklarata e CNN nuk dha shkakun e vdekjes, por Turner zbuloi në vitin 2018 se vuante nga demenca me trupa Lewy, një sëmundje degjenerative e sistemit nervor.
Turner u bë miliarder duke marrë përsipër biznesin e billboard-eve të të atit. Pastaj, në vitin 1970, ai bleu stacionin televiziv dhe e shndërroi atë në një grup të madh mediatik. Ai ishte një nga figurat më të fuqishme në industrinë amerikane të medias dhe argëtimit, dhe kanalet e tij specializoheshin në lajme, sporte, riprodhime dhe filma të vjetër.
Ai ia shtoi portofolit të tij studion e filmit MGM/UA dhe më pas e bashkoi kompaninë e tij Turner Broadcasting System me Time Warner në vitin 1996, shkruan Reuters.Ai ishte gjithashtu një nga ambientalistët kryesorë në botë, një nga pronarët më të mëdhenj privatë të tokës në Shtetet e Bashkuara dhe një filantrop i madh që dhuroi një miliard dollarë për Kombet e Bashkuara.Në vitet 1970, ai zotëronte ekipin e bejsbollit Atlanta Braves dhe ekipin e basketbollit Atlanta Hawks, dhe fitoi Kupën e Amerikës me jahtin e tij me vela Courageous. Forbes vlerëson pasurinë e tij në 2.8 miliardë dollarë.
“Nëse do të kisha vetëm pak përulësi, do të isha perfekt”, tha ai dikur. Biografi i tij, megjithatë, shkroi se Turner luftonte me depresionin dhe shpesh fliste për vetëvrasjen. Në rininë e tij, ai kishte një reputacion si një alkoolik që e shprehte hapur mendimin e tij.«Nuk kam asnjë ide se çfarë do të them», i tha ai dikur revistës New Yorker. «Unë them çfarëdo që më vjen ndërmend».
Ai është martuar dhe është divorcuar tri herë dhe ka pesë fëmijë. Martesa e tij e tretë, me Jane Fonda-n , e cila zgjati dhjetë vjet, përfundoi në vitin 2001.

