Përdorimi i gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale është kthyer në shqetësim kombëtar, sidomos kur në debatet publike trajtohen çështje si religjioni, politika dhe tema të tjera të ndjeshme. Ekspertët dhe profesorët universitarë, së bashku me Policinë, kanë bërë thirrje për kujdes, duke theksuar se nxitja e urrejtjes përbën vepër penale dhe mund të sjellë pasoja serioze.
“Ik moj, futja kot, dihet se i shajnë myslimanët”, “Zoti ka me ju ardhë hak si sot, si nesër” – këto janë vetëm disa nga komentet me gjuhë urrejtjeje dhe konotacion nxitës ndaj atyre që flasin publikisht për historinë e kombit shqiptar, sidomos kur bëhet fjalë për pushtimin osman në Ballkan.
Sipas Policisë së Kosovës, vetëm gjatë vitit 2026 janë proceduar katër raste të nxitjes së urrejtjes apo radikalizimit, ndërsa gjatë vitit 2025 janë raportuar 18 raste të tilla.
“Publikimi i përmbajtjeve me gjuhë urrejtjeje në rrjetet sociale përbën shqetësim serioz, pasi mund të ndikojë në përhapjen e ideologjive radikale, veçanërisht tek të rinjtë”, thonë nga PK.
Lidhur me këtë çështje, dekani i Fakultetit të Historisë, profesori Bujar Dugolli, thotë se një gjuhë e tillë duhet të trajtohet me seriozitet më të madh nga organet përgjegjëse.
“Shteti duhet ta miratojë ligjin për liritë fetare dhe ai nuk duhet të mbetet vetëm në nivel tentative, sepse interes kanë si bashkësitë fetare, ashtu edhe shteti, që të mos lejohet që dikush, në emër të fesë, të promovojë gjuhë urrejtjeje, nxitje të përçarjes apo agjenda që nuk janë në interes të kombit dhe shtetit të Kosovës apo Shqipërisë”, tha profesori.
Në anën tjetër, profesori i sociologjisë, Endrit Temaj, vlerëson se fenomeni po merr përmasa shqetësuese.
“Jemi në një fazë ku kjo dukuri ka filluar të radikalizohet, sepse feja po përdoret si mjet vleror dhe sulmet ndaj diskutimeve të caktuara vijnë si rezultat i kësaj. Kjo mund ta dëmtojë kohezionin shoqëror dhe, nëse institucionet nuk reagojnë, mund të marrë përmasa edhe më të rrezikshme”, deklaroi Temaj.
Ndërkaq, Besnik Jaha, profesor i gjuhës shqipe në Medrese dhe studiues i shkencave islame, thotë se çdo përçarje mes fesë dhe kombit është e dëmshme.
“Kjo frymë dhe kjo ide u shkon për shtati më së shumti armiqve të kombit tonë. Është absurde të kërkohet përçarje në emër të fesë. Kjo nuk përfaqëson frymën e identitetit tonë kombëtar. Ata që promovojnë këto ide tregojnë mungesë dijesh dhe kulture”, tha Jaha.
Gjuha e urrejtjes dënohet me ligj, andaj të gjithë ata që e përdorin atë në publik mund të ndiqen penalisht nga institucionet përkatëse.

