Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Bojan Jevtiq, për veprat penale “Spiunazhi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri, në cilësinë e zyrtarit policor me gradën toger, dyshohet se për një periudhë të pacaktuar kohore deri më 17 korrik 2025, ka vepruar në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëllimshme duke mbledhur dhe transmetuar dokumente zyrtare të klasifikuara.
Këto materiale, sipas Prokurorisë, i janë dërguar zyrtarëve të Shërbimit Inteligjent të Serbisë, dhe lidhen me çështje të sigurisë kombëtare dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Jevtiqi ishte arrestuar më 17 korrik 2025 pas aksionit nga Prokuroria Speciale në koordinim me AKI-në dhe Inspektoratin Policor, nën dyshimin se ia mundësoi Agjencisë së Serbisë për Inteligjencë qasjen në kompjuterin zyrtar të Policisë së Kosovës.
Ai e mbante pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikëkalimin që ndodhet në rajonin e Gjilanit.

